Zyrtari i PDK’së që iu shkarkua djali nga konsullata: Vjosa Osmani po bën politikë

HomeAktualitet

Zyrtari i PDK’së që iu shkarkua djali nga konsullata: Vjosa Osmani po bën politikë

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka shfuqizar mbrëmë katër dekrete për katër konsuj të përgjithshëm, saktësisht për ata në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

Në mesin e të shkarkuarve nga Osmani, është edhe Bledi Kilaj, i cili ishte emëruar konsull i përgjithshëm në Lubjanë, edhe ky njëri nga fëmijët e ish-zëvëndësministrit të Diasporës dhe njëherit ish-kryetarit të Malishevës nga radhët e PDK-së, Isni Kilaj.

Ky i fundit në një përgjigje për IndeksOnline, ka komentuar vendimin e fundit të Osmanit, për të cilën thotë se po bën politikë dhe se u.d e presidentit nuk përfaqëson popullin e Kosovës.

“U.D-ja po banë politikë! Ajo anuloi 4 Dekrete të 4 familjeve patriotike që kanë dhënë shumë për lirinë e Kosovës/ shiqo Halim Krasniqi vëllai i Xheva Krasniqit-Lladroci/. Janë edhe intelektual e profesional të gjithë të larguarit. Edhe ashtu djali im nuk ka qenë asnjë ditë në punë sipas atij Dekreti.

Ai Dekret ka kohë që ka dështuar! UD-ja Presidente nuk na përfaqëson të gjithë popullin e Kosovës”, ka thënë ai.

Emërimi i Flakron Shalës si Konsull i Përgjithshëm në Pragë, ka nxitur reagime të shumta.

Kjo për shkak se ai është djali i deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Haxhi Shala, shkruan Gazeta Express.

Derisa, kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, dje gjatë ditës, në një postimi në rrjetin social Facebook, tha që për këtë emërim është njoftuar nga mediat dhe është bërë pa koordinim me të, u.d e Presidentit, Vjosa Osmani mbrëmë mori veprime konkrete.

Reagim pas shkarkimit të djalit të tij, pati edhe deputeti i AAK-së, Haxhi Shala. Por, këtë e bëri në mënyrë indirekte.

Në orët e para mëngjesit të sotëm, me rastin e ditëlindjes së djalit të tij, ish-konsullit të shkarkuar, ende pa marrë mirë detyrën, Shala, pati një urim për të, por edhe disa fjalë për Vjosa Osmanin.

“Flakron biri im kur ti linde para 25 vite unë jetoja refugjatin dhe Kosova lëngonte nga robëria serbe. Sonte kur ti Flakron dhe Kosova jeton lirinë, lirinë tënde dhe te Kosovës po e njollosin fundrrinat e ngjitura në kulmin e shtetit. Flakron flakro kudo qe je me dashurinë për atedheun tonë Kosoven! Urime ditëlindja”, ka shkruar deputeti që iu bashkua AAK-së, pas formimit të Qeverisë Hoti. /Gazeta Express/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0