Zvezda luan në “ferrin” pa tifoz, mediat serbe nisin me “provokacija”

HomeSport

Zvezda luan në “ferrin” pa tifoz, mediat serbe nisin me “provokacija”

Mediat serbe, sapo kanë mësuar kundërshtarin shqiptar të Crvena Zvezda, kanë filluar ta ndezin situatën. Kështu ka bërë edhe “Kurir”, që paralajmëron tensione, edhe pse do të luhet pa tifozë. Si “shkëndijë” për “zjarr” përdor atë që ndodhi në përplasjen mes dy kombëtareve tona, para 6 viteve, në Beograd, kur sfida u ndërpre dhe më pas nga CAS-i e akordoi fitoren në tavolinë (3-0) për kuqezinjtë. Nuk mund të mungonte në këtë prognozë “provokacija” e medias serbe në fjalë edhe droni i Ismail Morinës, që bëri xhiron e botës, si referencë për të paralajmëruar një duel mjaft të nxehtë mes Tiranës dhe Crvena Zvenzdës, këtë herë në Champions. Ja shkrimi i “Kurir”:

“Lojtarët e Crvena Zvezda do ta luajnë raundin e dytë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve në Shqipëri, kundër Tiranës, e cila mposhti të mërkurën Dinamo Tbilis 2-0, si mysafire. Ndeshja do të luhet më 25 gusht, në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania” të Tiranës. Golin kryesor për kampionin e fqinjit tonë jugor e shënoi Agustin Torasa në minutën e katërt të pjesës së parë të lojës.

Portieri i shtëpisë, Roin Kvaskhvadze, arriti ta ndalojë të parën, por jo edhe përpjekjen e dytë të sulmuesit argjentinas, i cili u mor nga Flamurtari si një përforcim i shkëlqyeshëm. Ai shënoi gjashtë gola në kampionat dhe një në Kupë. Të mërkurën në mbrëmje “u regjistrua” në ndeshjet ndërkombëtare, të cilat i pret nga viti 2016, kur la një tjetër klub shqiptar, Partizani. Goli i dytë u shënua nga Ismajlgeci në minutën e 86-të.

Tirana është një ekip që u themelua në 15 gusht 1920 dhe së fundi festoi 100 vjet të ekzistencës. Deri më tani, ajo e ka fituar kampionatin vendas 25 herë, Kupën e Shqipërisë 16 herë dhe Superkupën e Shqipërisë 11 herë. Dihej prej një kohe se Crvena Zvezda do të luante si mysafire në këtë raund kualifikues, ndërkohë që nuk do të ketë spektatorë në shkallët e stadiumit për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Sidoqoftë, duhet ta përsërisim që takimi mes dy skuadrave do të ketë shumë tension. Mjafton të kujtojmë atë që ndodhi gjashtë vjet më parë, kur dueli midis kombëtareve të futbollit të Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd u ndërpre nga një dron me flamurin e Shqipërisë së Madhe, i cili u pilotua mbi stadiumin e Partizanit të Beogradit nga Ismail Morina. Në ndeshjen e kthimit në Shqipëri, skuadra jonë fitoi 2-0”.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0