Vuçiq në heshtje pas fitores së Joe Biden derisa amerikani po merr urime nga e gjithë bota

HomeAktualitet

Vuçiq në heshtje pas fitores së Joe Biden derisa amerikani po merr urime nga e gjithë bota

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qëndruar i heshtur karshi zhvillimeve të fundit në SHBA.

Ai nuk ka deklaruar ende asgjë lidhur me fitoren e Joe Biden, ndonëse diplomatët botërorë tashmë ia kanë uruar fitoren presidenciale kandidatit demokrat, shkruan Gazeta Express.
Lidhur me këtë, revista franceze. “Courrier international” nëpërmjet një shkrimi, ka ardhur në përfundimit se serbve do u konvenonte rizgjedhja e kandidatit republikan, Donald Trump, si president.

“Rizgjedhja e Trump është në interesin e serbëve. Ai nuk ka nisur asnjë luftë, ai ka tronditur NATO-n, ai po tërheq ushtarët nga Gjermania dhe caktoi Richard Grenellin si emisar për dialogun serbi Kosovë”, citonte revista franceze një intervistë që i ka dhënë gazetës serbe “Politika”, Olga Ravesi, liderja e diasporës serbe pro Trump në SHBA.
“Fitorja e Republikanëve dhe e Trump është më e mirë për Serbinë sepse ai nuk e quan dosjen e Kosovës një çështje të mbyllur” ka thënë për Blic, shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç.

“Rënia e marrëveshjes ekonomike më 4 shtator në Uashington e ka bërë presidentin serb Aleksandar Vuçiç që të marrë anë për rizgjedhjen e Trump dhe të shprehet i zhgënjyer me fushatën që po zhvillohet kundër tij në SHBA”, shkruante Courrier International.

Ndryshe nga Vuçiq, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar fitoren e Bidenit, duke thënë se ky i fundit e ka mbështetur Kosovën e lirë.

“Për dekada, Joe Biden ishte zëri i njerëzve të diskriminuar në të gjithë globin. Për ne, ai është mik i përkushtuar dhe një mbështetës i madh i Kosovës së lirë dhe të pavarur. Unë shoh një bashkëpunim të ngushtë me të dhe administratën e tij, në forcimin e marrëdhënieve tona të veçanta dhe aleancës strategjike”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Twitter.

Sidoqoftë, Biden në gjithë procesin e numërimit të votave ka qenë duke prirë, derisa vendimtare ka qenë përmbysja që i ka bërë në Trumpit në shtetin e Pensilvanisë.

Tashmë Biden ka mbi 270 vota elektorale, të cilat ia mundësojnë hyrjen në Shtëpinë e Bardhë si i pari i Amerikës.

Përgjatë historisë, Joe Biden, njihet për afërsinë dhe miqësinë shumë të ngushtë me shqiptarët, sidomos me Kosovën.

Përgjatë viteve të 90-ta, ai ka qenë avokues i madh i lirisë së Kosovës dhe kishte kërkuar me ngul që SHBA të bombardonte Serbinë. /Express/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0