Vuçiq: Kurrë s’e pranoj shtetin e Kosovës, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani larg realitetit (VIDEO)

HomePolitike

Vuçiq: Kurrë s’e pranoj shtetin e Kosovës, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani larg realitetit (VIDEO)

Paraqitja e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për dialogun Kosovë-Serbi u përcoll me duartrokitje në Kuvendin ku ka shumicën e deputetëve.

Për një orë e 15 minuta, ai foli mbi procesin e dialogut me palën kosovare, të cilës i referohej si përfaqësues të institucioneve të përkohshme të krahinës autonome të Kosovës, njofton Klan Kosova.

Këtë radhë më shumë se çdoherë tjetër e betonizoi qëndrimin e tij se Serbia kurrë s’e pranon pavarësinë e shtetit kosovar.

Vuçiq, që këmbëngul se në një zgjidhje kompromisi secila palë del humbëse, e pranoi se gjasat për një ujdi janë gati utopike me presidenten e re dhe kryeministrin e ri në Prishtinë.

“I kam takuar të dy përfaqësuesit e pushtetit ekzekutiv në Prishtinë, Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin. Unë diçka të ngjashme si ata kurrë s’e kam dëgjuar, as nga Haradinaj që e kam takuar vetëm në ndodhi rajonale, as nga Hashim Thaçi, e as nga Avdullah Hoti. Kjo është diçka që s’ka asnjë lidhje me seriozitetin, përgjegjësinë dhe realitetin”, ka theksuar Vuçiq.

Gjatë fjalimit të cilin nga lozha e parlamentit e përcollën dhe përfaqësuesit e Listës Serbe nga Kosova, kryetari i Serbisë nuk la anash as kërcënimet.

I obsesionuar me veriun e Kosovës, Vuçiq thotë se ata nuk do qëndrojnë të heshtur në rast se njësitet speciale të policisë kosovare do të intervenojnë në një vend afër Zubin Potokut.

“Për këtë ua kam tërhequr vërejtjen Kurtit dhe bashkësisë ndërkombëtare. Mos tentoni që fizikisht ta merrni trafostacionin në Vallaq. Këtë u them hapur sespe e di çka po planifikojnë e çka kanë planifikuar. I luta tri herë mos ta bëjnë këtë veprim. Njerëzit që janë ulur në galeri e dijnë për çka bëhet fjalë saktë”.

Raportimi i kësaj të marte ishte i pari i Vuçiqit si president lidhur me dialogun me Kosovën.

I njejti u shoqërua edhe me dokument të shkruar nga kreu i Komisionit Parlamentar për Kosovën, Milovan Drecun.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0