Vjosa Osmani e Avdullah Hoti shkelin Ligjin për AKI-në

HomeAktualitet

Vjosa Osmani e Avdullah Hoti shkelin Ligjin për AKI-në

Dy udhëheqësit më të lartë shtetërorë kanë shkelur Ligjin për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pasi nuk kanë arritur konsensus për emërimin e drejtorit të ri të kësaj agjencie.

Java e kaluar ishte afati i fundit ligjor, kur ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti do të duhej të emëronin bashkërisht drejtorin e ri të AKI-së, raporton REL.

Bazuar në Ligjin për AKI-në, në nenin 5.3 përcaktohet se “presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me kryeministrin, emërojnë së bashku drejtorin e AKI-së brenda 20 ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.

Ish-drejtorit, Kreshnik Gashi, i ishte kërkuar nga kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, që të lironte pozitën më 17 dhjetor, 2020. Në këtë kërkesë, Hoti ishte mbështetur edhe nga u.d e presidentit, Osmani, por asnjëri nga ta nuk ka komentuar arsyet e kësaj kërkese.Mospajtime për kandidatët

Para fundit të vitit 2020, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti kishte dërguar në Presidencë emrin e Latif Merovcit, si të nominuarit kryesor. Merovci, i cili në vitin 2015 ishte emëruar zëvendësdrejtor i AKI-së, nuk është përkrahur nga u.d e presidentit, Vjosa Osmani.

Burime brenda qeverisë, thonë se kryeministri ka pasur edhe një emër të dytë.

Në Presidencë thonë se u.d e presidentit “ka bërë propozimin ashtu siç e parashikon ligji dhe Kushtetuta”. Propozimi i Osmanit nuk është i njohur.

“Kryeministri në detyrë e ka refuzuar propozimin e u.d të presidentit përmes një interviste televizive”, tha për Radion Evropa e Lirë, Bekim Kupina, këshilltar i Osmanit.

Sipas tij, kjo çështje do të adresohet “pas zgjedhjeve”.

Kryeministri në detyrë, Hoti kishte deklaruar për një televizion lokal se nuk mund të pranojë propozimet e Osmanit për kreun e AKI-së, pasi sipas tij, ata janë njerëz pa “përvojë dhe maturitet” për të udhëhequr me këtë institucion.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0