Si nisi “lufta” ndërmjet Ramush Haradinajt e Avdullah Hotit: A do t’i pajtoj posti i presidentit AAK-në e LDK-në?!

HomePolitike

Si nisi “lufta” ndërmjet Ramush Haradinajt e Avdullah Hotit: A do t’i pajtoj posti i presidentit AAK-në e LDK-në?!

Një takim i zhvilluar ndërmjet kryeministrit Avdullah Hoti me presidentin serb, Aleksander Vuçiq në Bruksel, para disa javësh me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian, ka lëkundur koalicionin qeverisës në Kosovë.

Menjëherë pas këtij takimi, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj edhe publikisht shfaqi pakënaqësinë e tij me veprimin e Hotit.

Madje, ai kërcënoi se do ta rishqyrtoj pozicionin e AAK-së në koalicion, nëse Hoti vazhdon takimet në Bruksel.

I pari i AAK-së në një intervistë dhënë për Gazeta Blic nuk e ka përjashtuar edhe ndonjë marrëveshje të fshehtë PDK-LDK.Shkas për këtë është emërimi i Skender Hysenit, si koordinator shtetëror për dialogun me Serbinë.Megjithatë, burime nga LDK thonë se nuk do të ketë prishje të koalicionit ndërmjet AAK-LDK.

Këto burime konsiderojnë se Haradinaj me shpalljen e kandidaturës për president, shpreson në mbështetjen e LDK-së. Madje, në LDK besojnë se Haradinaj pikërisht për shkak të postit të presidentit po bën presion ndaj Hotit.Sidoqoftë, Haradinaj ditën kur u nominua nga AAK për president, tha se ai u autorizua nga partia për negociata edhe në lidhje me rikonfigurimin e qeverisë.“Sot në takimin me strukturat udhëheqëse të Aleancës, u diskutuam për zhvillimet politike dhe qeverisëse në vend, me theks të veçantë tek menaxhimi i pandemisë, rimëkëmbja ekonomike, dialogu Kosovë-Serbi dhe mbarëvajtjen e koalicionit qeverisës.

Aleanca qëndron fuqishëm në përkrahjen e menaxhimit efektiv të pandemisë, duke përkrahur bizneset dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve, me masa të propozuara nga ekspertët shëndetësor.
Gjithashtu në dialogun me Serbinë, ne jemi për marrëveshje që sjell njohjen në kufijtë ekzistues, duke ruajtur karakterin unitar të Kosovës së 17 shkurtit.
Ne jemi kundër dialogut teknik, i cili për më shumë se një dekadë i ka shkuar në favor vetëm Serbisë, duke e lënë Kosovën të izoluar.
Falënderoj Këshillin Drejtues, për besimin e tyre, për autorizimin që me dhanë, që në emër të Aleancës të zhvilloj bisedimet eventuale për rikonfigurimin e qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit. Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, ka shkruar ai.

Ndërkohë, lideri i LDK-së Isa Mustafa ka theksuar se Kosova e ka presidentin.Ai ka thënë se në momentin që imponohet situata kushtetuese për zgjedhje të Presidentit, kjo do të trajtohet në mënyrë komplekse. Ai thotë se LDK nuk do të bëjë asnjë veprim që mendon se nuk është i mirë për vendin, për të evituar zgjedhjet.Çështja e zgjedhjes së Presidentit të vendit, është kthyer përsëri në temë diskutimi.Kjo për shkak të publikimit të propozim aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj Presidentit aktual të vendit, Hashim Thaçi.

Megjithatë, i pari i LDK’së, Isa Mustafa, po thotë se kandidati për President nuk është diskutuar as me partitë e koalicionit e as me ato të opozitës.“Në LDK nuk është biseduar për kandidatin për President të Kosovës. Nuk e kemi biseduar as me partitë e koalicionit qeverisës e as me ato të opozitës”, ka thënë Mustafa.I pyetur se kush duhet të bëhet President i vendit, nëse ndaj Presidentit aktual, Hashim Thaçi, konfirmohet aktakuza nga Gjykata Speciale, Mustafa ka thënë se nëse imponohet situata kushtetuese për zgjedhje të Presidentit, kjo çështje do të trajtohet në mënyrë komplekse.“Aktualisht Kosova e ka Presidentin me mandat kushtetues deri në prill të vitit të ardhshëm. Në momentin që imponohet situata kushtetuese për zgjedhje të Presidentit, kjo çështje do të trajtohet në mënyrë komplekse, sepse është komplekse”, ka deklaruar Mustafa për Express.Ndërkohë, tash e sa kohë në media po flitet për hyrjen e PDK-së në koalicion.Njëri nga njerëzit më me ndikim në PDK, Xhavit Haliti për Gazeta Blic tha se partia e tij duhet të hyjë në Qeveri.“Bisedimet mund të zhvillohen edhe në distancë.

Njerëzit e PDK-së dhe të LDK-së kanë kontakte”, ka theksuar Haliti.Megjithatë, ai tha se zyrtarisht PDK nuk e ka krijuar një ekip, apo një delegacion, i cili formalisht do t’i niste bisedimet për hyrjen në qeveri.“Komunikimi ekziston dhe duhet të jetë me të gjitha partitë politike”, ka thënë Haliti për Gazeta Blic.Ndonëse e mbështet fuqishëm idenë e hyrjes së PDK-së në Qeveri, Haliti thotë se nuk e di rrethanat e sakta dhe kërkesat që i kanë PDK dhe LDK për të hyrë në bashkëqeverisje. Sipas tij, e gjithë kjo do të varet nga bisedimet që do t’i zhvillojnë dy partitë politike.Ai e ka sqaruar për Gazeta Blic përse PDK duhet ta ndryshoj qëndrimin e dhënë pas zgjedhjeve se do të qëndrojnë në opozitë.

“Ne fillimisht ishim pozicionuar për të qëndruar në opozitë, mirëpo rrethanat tashmë kanë ndryshuar. PDK duhet të hyjë në koalicion, dhe të gjitha partitë politike të dakordohen për prioritetet që i kanë vendi, si bisedimet, luftimi i korrupsionit dhe temat tjera me të cilët përballet Kosova”, tha ai.Kryetari i Degës së PDK-së në Pejë konsideron se nëse do të formohet një qeveri vetëm për ta bërë dike ministër, apo për t’ia dhënë një pozicion, atëherë më mirë mos të formohet fare.I pyetur se a ka ndonjë kusht të caktuar PDK për të hyrë në koalicion me LDK-në, AAK-në e Nismën, Haliti ka theksuar se kjo çështje do të varet nga negociatat që do të zhvillohen.Haliti e ka komentuar edhe shpalljen e kandidaturës së Ramush Haradianjt për president të Kosovës, duke e quajtur edhe si një dëshirë të parit të AAK-së.“Nuk mund të paragjykoj. Dëshirat janë dëshira. Por, mendoj që Kosovës i nevojitet një president konsensual, e jo një president që nuk e ka mbështetjen e popullit, edhe pse mund të arrij t’i siguroj votat”, tha a për Gazeta Blic.I pyetur se a e mbështet ai personalisht Haradinajn për kryeministër, Haliti tha se as nuk është për e as kundër, ndonëse insiston që në postin e të parit të vendit të vijë dikush nga bota akademike ose nga shoqëria civile, i cili duhet të jetë edhe konsensual.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0