Reagime nga Serbia:Eliot Engel po përpiqet para pensionimit ta ndihmojë Kosovën duke ndikuar në administratën Biden

HomePolitike

Reagime nga Serbia:Eliot Engel po përpiqet para pensionimit ta ndihmojë Kosovën duke ndikuar në administratën Biden

Përfundimet e ekspertëve për Ballkanin në takimin e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit Amerikan janë jashtëzakonisht të pafavorshme për shtetin serb dhe sigurisht se përfaqësojnë një formë presioni ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq, tha Nemanja Staroviq nga Qendra për Stabilitetin Social në Serbi, transmeton Gazeta Express.

“Sidoqoftë, kjo mund të jetë gjithashtu një mundësi e mirë për ta vlerësuar ndikimin e vërtetë të politikanëve veteranë si Madeleine Albright dhe Daniel Serwer në administratën presidenciale të Joseph Biden, dhe nëse do t’i kthehemi modelit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të njohur nga vitet 1990”, tha ai.

Staroviq thotë se ai nuk do ta përjashtonte mundësinë që kjo seancë e Komitetit të Politikës së Jashtme të mbetet vetëm një “këngë mjellme” e kreut në largim të atij trupi punues të Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel, dhe një mbledhje e ish-zyrtarëve të etur për vëmendjen e publikut, por me ndikim të kufizuar në politikën e jashtme të SHBA-së.

“Vetë përbërja e të ashtuquajturve ekspertë që japin deklaratat e tyre para Komitetit të Politikës së Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së flet shumë për qëllimet me të cilat u mblodh trupi. Sidoqoftë, duhet të kihet parasysh se seanca e Komitetit të Politikës së Jashtme u thirr nga kryetari në largim, Eliot Engel. Pas më shumë se tre dekadash në Dhomën e Përfaqësuesve, ai humbi mbështetjen e Partisë së tij Demokratike këtë vit dhe nuk kandidoi as për rizgjedhje në nëntor, kështu që kjo është një nga iniciativat e tij të fundit para se të dilte në pension”, tha Staroviq.

Një seancë dëgjimore u mbajt dje në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-së, në të cilën morën pjesë ekspertë të Ballkanit Perëndimor.

Midis pjesëmarrësve ishin Daniel Serwer, profesor në Universitetin “Johns Hopkins”, ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, dhe analisti Janusz Bugajski. Takimi u organizua nga kryetari i Komitetit, mbështetësi i madh i Kosovës, Eliot Engel. /Express/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0