QUINT-i lëshon reagim për zhvillimet e fundit të Speciales, vlerëson sjelljen e ish-krerëve të UÇK-së

HomePolitike

QUINT-i lëshon reagim për zhvillimet e fundit të Speciales, vlerëson sjelljen e ish-krerëve të UÇK-së

Shtetet e QUINT-it në Kosovë kanë lëshuar një komunikatë për media pas zhvillimeve të fundit në vendin tonë, që përfshijnë aktakuzat e Speciales dhe dorëzimin vullnetar të Thaçit, Veselit dhe Rexhep Selimit tek autoritetet e Hagës.

Në këtë komunikatë për media, QUINT-i e ka vlerësuar bashkëpunimin e tre të lartëpërmendurve si dhe Jakup Krasniqit me Specialen.

“Udhëheqësit e Misioneve në Kosovë të BE-së dhe të Shteteve Anëtare e marrin parasyshë dorëheqjen e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ne e vlerësojmë bashkëpunimin e treguar në ditët e fundit nga Presidenti Hashim Thaçi dhe ish udhëheqësi i PDK-së Kadri Veseli, si dhe nga z. Rexhep Selimi dhe ish Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, me Dhomat e Specializuara. Për më tepër, ne i vlerësojmë fjalimet drejtuar publikut të mbajtura dje nga z. Thaçi dhe z. Veseli, të cilët bënë thirrje për respektimin e procesit gjyqësor”, thuhet në komunikatë.

Sipas QUNT-it, bashkëpunimi i tyre me drejtësinë tregon përgjegjësinë e Kosovës për sun dim të ligjit.

“Kjo pasqyron përgjegjësinë dhe vendosmërinë e Kosovës për respektim të sundimit të ligjit dhe për kërkim llogarie nga individët që mund të kenë kryer veprime të paligjshme. Nuk duhet harruar se sipas ligjit, individët nën aktakuzë janë të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre, dhe se duhet të respektohen të drejtat e tyre ligjore. Kosova duhet të mbetet e përkushtuar ndaj këtij procesi. Prioriteti më vendimtar për BE-në dhe Shtetet e saj Anëtare, është respektimi i sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Për këtë arsye, ne e kemi mbështetur fuqimisht krijimin e Dhomave të Specializuara, si pjesë integrale e sistemit të Kosovës për sun dimin e ligjit, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë derisa të përmbushet misioni i Dhomave, ndaj të cilave edhe Kosova është e përkushtuar. Kjo është esenciale për konsolidimin e perspektivës evropiane të Kosovës”, thuhet tutje në reagim.

Ndryshe, Specialja ka caktuar të hënën dy seancat e para, në të cilat do të paraqiten Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0