Qeveria “Hoti” ndjek modelin e Qeverisë “Haradinaj” për një muaj emëron 44 zv/ministra,

HomeAktualitet

Qeveria “Hoti” ndjek modelin e Qeverisë “Haradinaj” për një muaj emëron 44 zv/ministra,

Nuk i ka mbushur akoma as një muaj të plotë që kur është formuar.

Megjithatë, Qeveria “Hoti”, i ka “grahur” shpejtë punës për emërimin e zëvendësministrave.

Për 23 ditë, ajo ka emëruar, gjithsej 44 të tillë nëpër 16 dikastere të ndryshme qeveritare.

Ata që monitorojnë punën e këtyre institucioneve thonë se ky numër mund të rritet akoma ditëve në vijim.

Aq sa Qeveria “Hoti”, sipas Visar Rushitit nga Demokracia Plus, mund t`i ngjasojë qeverisjeve paraprake me mbi 80 zëvendësministra.

“Në bazë të një trendi mund të thuhet se numri i tyre do të rritet edhe shumë me shumë në bazë të kësaj që është parë deri me tani. Deri sot i kemi 44, por ky numër pritet të rritet dhe shumë lehtë mund t`i ngjasojë edhe qeverive paraprake kur kemi pasur 70 apo 80 zv/ministra të emëruar”, u shpreh ai.

Ministrja e Kulturës, Rinisë e Sportit, Vlora Dumoshi deri tash ka 5 vartës në dikasterin që e udhëheqë.

Po kaq zëvendës pas vetes ka edhe Ministri Blerim Kuçi që drejton Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit.

Numri i të emëruarve në këto dy dikastere, por edhe numri i përgjithshëm i zëvendësministrave në Qeverinë “Hoti” është i palogjikshëm për Erblin Hoxhën nga Lëvizja “Fol”.

Ky vlerëson se për një dikaster qeveritar në Kosovë nuk ka nevojë për më shumë se 2 zëvendësministra.

“Unë mendoj që për strukturën që e kemi është totalisht jo logjikë me i pasë më shumë se 2 zëvendësministra në rastin më të mirë. Por 1 zëvendësministër është i nevojshëm sepse në Kosovë nuk është që kemi aq shumë punë saqë Ministri të jetë për 2 muaj jashtë e të ketë nevojë që 1 zëvendësministër ta zëvendësojë kaq gjatë”, theksoi ai.

Avdullah Hoti, kur ishte shef i deputetëve të LDK-së në vitin 2017, atë kohë opozitë, kishte kritikuar Haradinajn për numrin e madh të zëvendësministrave.

Për dallim prej Qeverisë “Hoti”, ajo “Kurti” kishte 11 zëvendësministra më pak, gjithsej 33 të tillë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0