Publikohet dokumenti ku pretendohet se Albulena Haxhiu ofertoi 300 mijë euro në emër të Faton Dalladakut

HomePolitike

Publikohet dokumenti ku pretendohet se Albulena Haxhiu ofertoi 300 mijë euro në emër të Faton Dalladakut

Emri i Albulena Haxhiut është i përfshirë në një tender në vlerë prej 300 mijë eurosh, për blerjen e një toke, në vitin 2010. Si përfaqësuese e Faton Dalladakut, ajo kishte vënë nënshkrimin e saj në dokumentet për ofertim lidhur me këtë shit-blerje, për të aplikuar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Haxhiu, e cila sot është Ministre e Drejtësisë nga radhët e Vetëvendosjes, ishte personalisht e autorizuar nga Faton Dalladaku për të ofertuar në AKP për blerjen e një toke prej 14.1554 hektarësh në Suhadoll të Lipjanit. Me numrin e regjistruar të kualifikimit të ofertuesit HQ3221, më 14. 06. 2010, Faton Dalladaku kishte aplikuar në tenderin për blerjen e “NSH Kosova Tokë Bujqësore A, Suhadoll, Lipjan”, përmes likuidimit 2.

Çmimi i ofertës ishte 300 mijë euro.

Mënyra e pagesës ishte me para të gatshme, përmes xhirollogarisë bankare. N.SH “Bujqësia” ishte themeluar në vitin 1990 dhe veprimtari kryesore ka pasur kultivimin e drithërave. Ajo ka hyrë në likuidim më 09. 10. 2007.

Shitja përbente tokë bujqësore, me sipërfaqe totale prej 14.1554 ha. Kjo shitje, përveç tokës, nuk përmbante objekte. Periskopi ka siguruar disa dokumente, që vërtetojnë se Albulena Haxhiu ishte përfaqësuese e Faton Dalladakut, ashtu si dhe dokumentet e tenderimit për blerjen e tokës në Suhadoll, në të cilat figuron emri dhe nënshkrimit i Albulena Haxhiut.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, pas raportimeve që e lidhnin emrin e saj me atë të biznesmenit Faton Dalladaku, ka deklaruar se do të bëjë padi për shpifje, duke e konsideruar këtë si një luftë të egër ndaj saj. Haxhiu, megjithatë, në një intervistë për Rubikon, javën e kaluar, ka pranuar se ka punuar disa muaj për Faton Dalladakun dhe se ka marrë rrogë prej tij.

Por, ajo është përpjekur ta fshehë faktin se ishte personi i besuar dhe i autorizuar i Dalladakut për ta përfaqësuar atë në tenderë, duke e relativizuar pozicionin e saj në kompaninë e tij. Haxhiu ka thënë se bëhej fjalë për një shkollë dizajni. “Unë në 2010 kam punuar, në atë kohë kam qenë studente, disa muaj. Ka pasur një shkollë të dizajnit. Unë kam administruar… kam qenë administratore, dmth komplet vendime administrative. Disa muaj kam punuar. Kam marrë pagë, sikurse edhe punonjësit tjerë në atë kohë”, ka thënë Albulena Haxhiu në Rubikon.

Por, siç dëshmojnë dokumentet e siguruara nga Persikopi, angazhimi i saj për Dalladakun del të jetë i lidhur edhe me ofertim për blerje toke.

Faton Dalladaku, vitin e kaluar, kishte pushtuar mediat kosovare me aferën e publikuar për ryshfet, fajde dhe mashtrim, e cila kishte të bënte me kontratën për një spital privat në hapësirat e QKUK-së.

Në videot e publikuara, Dalladaku shihej duke ua dhënë 50 mijë euro dy personave, Kadri Rexhepit dhe Rrahim Hashimit, me qëllim të ndërmjetësimit për blerjen e Qendrës Kardiake të Kosovës në Prishtinë.

Në aktakuzën e ngritur për këtë rast, thuhej se Dalladakut i ishin marrë rreth 300 mijë euro. Albulena Haxhiu, duke folur në Rubikon për këtë rast, është shprehur se Dalladaku i duket se ishte viktima.

“Qe 11 vjet nuk kam pasur kontakt me personin në fjalë. Unë e di që Prokuroria është duke u marrë me një rast të tillë. Disa të tillë janë në burg. Në këtë rast, zoti Dalladaku më duket se është viktima. Nuk e di saktësisht, se nuk është që e kam ndjekur shumë këtë çështje”, ka thënë Haxhiu.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0