Pse nuk dërgohen në karantinë të gjithë të kthyerit në Kosovë?

HomeAktualitet

Pse nuk dërgohen në karantinë të gjithë të kthyerit në Kosovë?

Donika Lamaxhema, nga Ferizaj, u kthye të shtunën nga Londra dhe nga Aeroporti i Prishtinës shkoi në shtëpinë e saj në vetizolim – si një masë e nevojshme për të ditur nëse është e infektuar me koronavirus ose jo.Në fluturimin Londër-Prishtinë ishin rreth 140 pasagjerë, qytetarë të Kosovës që ishin në Angli, Kanada, Irlandë dhe Islandë.“Para se të vija, e kam lënduar këmbën, edhe kur kam mbërritur këtu më kanë trajtuar me prioritet dhe pastaj kam dalë menjëherë. Nuk kam shkuar në karantinë se e kam thyer gishtin. Me sa kam kuptuar unë, i gjithë aeroplani (të gjithë pasagjerët) kanë shkuar në vetizolim”, tha Donika.

Vetizolimi nënkupton qëndrimin në shtëpi për 14 ditë, duke mos pasur kontakt me personat e tjerë, ndërsa karantina i referohet një gjendjeje më serioze të izolimit, e shpallur nga autoritetet, e që shpesh i referohet ndarjes së njerëzve me rrezik të lartë nga marrja e sëmundjes.Valdet Hashani, menaxher i karantinës në Qendrën e Studentëve në Prishtinë e që momentalisht është e vetmja në Kosovë, tha se të shtunën dhe të dielën rreth 300 qytetarë të Kosovës janë kthyer nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.Sipas tij, të gjithë këta udhëtarë u janë nënshtruar kontrolleve nga mjekët në aeroport dhe pas vlerësimit të tyre, janë dërguar në vetizolim.

Hashani tha se janë shtatë kategori që nuk i nënshtrohen karantinës.“Personat me probleme kronike, personat që janë mbi moshën 70-vjeçare, fëmijët nën 18 vjeç që nuk janë të shoqëruar nga njëri prind, profesionistët shëndetësorë, mjekë, infermierë, policë e pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, personat që vijnë për raste mortore, gratë shtatzëna dhe familjet që kanë fëmijë të vegjël, si dhe personat e testuar për COVID-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi] e që e dëshmojnë me ‘hard copy’ (dokumente) – këta nuk i nënshtrohen procesit të karantinës”, tha Hashani.Ata persona që nuk bëjnë pjesë në këto kategori, dërgohen në karantinë për një javë.Hashani tha se edhe në ditët në vijim, në Kosovë do të arrijnë qindra qytetarë të tjerë.“Më 27 maj, i kemi dy fluturime. Nga Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu do të vijnë 170 qytetarë dhe nga Zvicra 150. Me datën 31 do të vijnë 100 qytetarë nga Italia, kurse më 1 qershor do të vijnë edhe 120 nga Turqia”, tha Hashani.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 1