“Presidenti me disa parti u përpoq të improvizojë një skenar antikushtetues”, Kurti i shkruan letër Parlamentit Evropain

HomePolitike

“Presidenti me disa parti u përpoq të improvizojë një skenar antikushtetues”, Kurti i shkruan letër Parlamentit Evropain

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i është drejtuar përmes një letre Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian ku sqaron situatën politike në Kosovë, pas mocionit të mosbesimit të votuar në Kuvendin e Kosovës, e deri tek përgjigja e Komisionit të Venecias që erdhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretit, me të cilin presidenti e ka mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për formimin e qeverisë së re.

Në këtë letër, e cila është shkruar nga Zyra e Kryeministrit pas pas disa kërkesave të eurodeputetëve, si lloj sqarimi për anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian thuhet se “presidenti i Kosovës me mbështetjen e disa partive politike ndërmori një seri veprimesh në përpjekje për të improvizuar një skenar antikushtetues, nën arsyetimin se nuk kishte kushte për organizimin e zgjedhjeve, duke përmendur po ashtu se me këto veprime u shkel edhe qëndrimi i kryetares së Parlamentit, Vjosa Osmani”.

“Në këto rrethana, Qeveria në fuqi përgatiti një kërkesë drejtuar Komisionit të Venecias, me qëllim që të sigurohej një mendim nga ai institucion në lidhje me kompetencat e Presidentit për të shpërndarë Kuvendin dhe rolin e tij në formimin e Qeverisë. Një mendim nga Komisioni i Venecias do të ofronte, për të gjitha palët e përfshira, një pamje objektive dhe krahasuese me parimet kushtetuese që i karakterizojnë kushtetutat bashkëkohore”, shkruan Kurti në letër.

“Prandaj, me ndërmarrjen e iniciativës së tij për ta formuar Qeverinë, duke keqinterpretuar kërkesat e fituesit të zgjedhjeve për sqarime mbi bazën kushtetuese rreth veprimeve e tij, dhe duke shpikur një afat që nuk parashikohet askund në Kushtetutë, Presidenti ka vepruar qartë duke shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në dritën e këtyre fakteve, anashkalimi i Kushtetutës dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese nga ana e një Presidenti që merr rol aktiv politik, pavarësisht se Kushtetuta nuk lejon një rol të tillë, është krejtësisht e qartë. Kjo është vërejtur publikisht jo vetëm nga fituesi i zgjedhjeve, por edhe nga ish-anëtarët e Komisionit Kushtetues që hartuan Kushtetutën, si dhe nga analistët kushtetues dhe ekspertët e shoqërisë civile”, ka vijuar ai.

 

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0