‘Plas bom ba’, Vetëvendosje u financua nga Shkëlqim Devolli

HomeAktualitet

‘Plas bom ba’, Vetëvendosje u financua nga Shkëlqim Devolli

Pikërisht në ditën kur Vetëvendosje në Parlament nëpërmjet deputetëve të saj kërkoi heqjen e homologimit të veturave “për të ndalë zhvatjen që po u bëhet qytetarëve”, Klan Kosova, televizioni i Shkëlqim Devollit, i mori hak Vetëvendosjes, duke i goditur ata me një pjesë të intervistës së ish -anëtarit të VV’së Florin Krasniqit, i cili vitin e kaluar në T7 kishte zbuluar se VV ishte financuar nga Shkëlqim Devolli.

Tre ditë më parë deputetët e Vetëvendosjes i vunë në siklet deputetët e Kuvendit të Kosovës duke u thënë se nëse nuk e votojnë ligjin për heqjen homologimit të veturave, atëherë ata janë kundër Republikës dhe i mbajnë krahun Devollëve.
Sido që të jetë, Vetëvendosje e humbi këtë kauzë të cilën kohë më parë e kishin mbështetur haptas edhe ambasadat e huaja në Prishtinë.

Kuvendi të hënën që shkoi nuk pati kuorum. Pro projektligjit ku bënte pjesë neni për homologimin votuan 30 deputetë, 10 kundër, ndërsa një ka abstenuar.
E derisa ky projektligj përplasi deputetët e pozitës dhe opozitës përfshirë edhe PDK e VV’në kundër njëra-tjetrës, në debat u përfshi edhe Klan Kosova televizioni pronë e Shkëlqim Devollit, që për këtë temë bëri hiç më pak se 4 storje.

Ky televizioni i dha hapësirë veçmas një pjesë të intervistës në Pressing të T7 të shqiptaro -amerikanit Florin Krasniqi që dikur ishte pjesë e Vetëvendosjes e që natën 3 tetorit 2019 kishte treguar për një takim të Devollëve me Albin Kurtin. Klan Kosova madje e ka bërë “sponsored ” në rrjetet sociale këtë pjesë të intervistës për ta shpërndarë sa më shumë.

Krasniqi kishte thënë se kishte qenë prezent në një takim me dy vëllezërit Devolli gjatë vitit 2011, ku sipas tij Albin Kurti ka kërkuar mbështetje financiare nga ta. Madje, sipas tij, shuma që kishte kërkuar Kurti nga biznesmenët e njohur ishte 20.000 euro, 10.000 nga të cilat Krasniqi thotë se Kurtit i erdhën në tavolinë gjatë takimit.

Klan Kosova i dha hapësirë për këtë edhe deputetit të PDK’së Abelard Tahirit i cili u tha deputetëve të VV’së se me këtë temë ka mundur të merret Albin Kurti sa ka qenë Kryeministër.
“ Nëse për një parti është e dokumentume që financohet nga Devollët, atë e ka thënë vetë ish – deputeti i VV’së Florin Krasniqi. Pra, në këtë rast lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti, janë një subjekt politik dhe një lider i një partie politike të cilët financohen nga Devollët. Nëse qytetarët ndërlidhin diçka me zarfin dhe një parti politike janë zarfet e Devollëve e të Vetëvendosjes” ka thënë Tahiri.

Klan Kosova i dha ndërkaq hapësirë edhe deputetit të AAK’së Shkumbin Demaliaj i cili duke akuzuar deputetët e VV’së mbështeti fjalët e Tahirit duke thënë se “janë pikërisht njerëzit e VV’së që janë parë nëpër jahte të Shkëlqim Devollit”.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0