Për shkak të pandemisë, ATK-ja tregon se kanë rënë të hyrat

HomeEkonomi

Për shkak të pandemisë, ATK-ja tregon se kanë rënë të hyrat

Për 6 muajt e parë të këtij viti, Administrata Tatimore e Kosovës ka mbledhur 23.5 milionë më pak të hyra sesa në vitin e kaluar.

Ndonëse në dy-tre muajt e parë të këtij viti performanca e të hyrave po shkonte më mirë seç ishte planifikuar, rrjedhën e ndryshoi situata me pandeminë COVID-19.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, tha se ndikimi i pandemisë është ndier kryesisht në muajt mars e prill, ndërsa që nga maji gjendja ka filluar të kthehet në normalitet sa u përket të hyrave.

Sipas drejtorit të ATK-së, përveç rënies së të hyrave, pandemia ka ndikuar edhe në rënien e qarkullimit të bizneseve dhe nga muaji mars deri në qershor qarkullimi i bizneseve ka rënë për 833 milionë euro që në përqindje i bie 22 për qind më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Megjithëse ATK-ja nuk e ka një sistem që do të mund të pasqyronte saktë sesa biznese kanë falimentuar e sa persona kanë mbetur pa punë, drejtori tha se gastronomia, sektori i transportit e ai i ndërtimtarisë janë goditur më së shumti nga gjendja me koronavirus.

Situatën me pandeminë e kanë keqpërdorur edhe disa nga bizneset, të cilat me qëllim të përfitimit i rritën edhe çmimet. Mirëpo, për abuzuesit me çmime Administrata Tatimore njoftoi se ka shqiptuar edhe gjoba.

Ndërsa sa i përket inkasimit të borxheve, ATK-ja ka mbledhur 36.8 milionë euro, 22.6 për qind më pak se vitin e kaluar.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0