Pandemia pezullon projektet e reja kapitale në Kosovë

HomeAktualitet

Pandemia pezullon projektet e reja kapitale në Kosovë

Të gjitha projektet e reja kapitale, të parapara në buxhetin e Kosovës për vitin 2020, janë pezulluar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Vlera e përgjithshme e projekteve të reja kapitale për këtë vit është 122,8 milionë euro, kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Ministrisë në detyrë të Financave dhe Transfereve. Nga vlera e përgjithshme, mbi 51,3 milionë euro ishin ndarë për nivelin qendror, kurse 71,5 për nivelin komunal.

Disa nga projektet e reja, që janë paraparë në Ligjin për Buxhet të këtij viti, përfshijnë ndërtimin e urës në rrugën nacionale N9, segmenti Pejë- Kuqishtë, programet mbështetëse të sistemit shëndetësor, ndërtimin e çerdhes së fëmijëve në Komaran- Drenas, zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në Vushtrri, renovimet në objektet e Fakultetit të Mjekësisë dhe shumë renovime të tjera të objekteve të fakulteteve, por edhe projekte të shumta në infrastrukturë.

Pezullimin e projekteve të reja të parapara në buxhet, për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar Zëvendësministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Agim Krasnqi. Ai ka thënë se situata e krijuar me pandeminë e koronavirusit është arsyeja e pezullimit të projekteve, në mënyrë që shuma e këtyre mjeteve të shpenzohet për lehtësimin e efekteve ekonomike të shkaktuara nga koronavirusi.

Projekte të reja konsiderohen vetëm ato projekte që janë paraparë për këtë vit dhe jo ato që janë duke vazhduar nga vitet e mëhershme. Vlera e përgjithshme e investimeve kapitale në buxhetin e këtij viti parashihet të jetë 624 milionë euro.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0