Pacientët e dyshuar për COVID-19 trajtohen në oborr të QMF-së në Shalë të Lipjanit

HomeAktualitet

Pacientët e dyshuar për COVID-19 trajtohen në oborr të QMF-së në Shalë të Lipjanit

Gjatë ditës ka qarkulluar një video në të cilën shihen disa pacientë duke marrë infuzione në oborrin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Shalë të Lipjanit.

Pacientët e dyshuar me Covid-19 janë obliguar nga stafi të ulen në karrige “nën hije të pemëve”, për të marrë infuzione

Rreth kësaj çështje ka reaguar menjëherë subjekti më i madh opozitar, PDK-ja, dega në Lipjan, duke akuzuar ekzekutivin e komunës për mosvendosje të një tende në oborrin e QMF’së në Shalë.

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan, Agim Krasniqin drejtoresha për Shëndetësi në komunën e Lipjanit, Merita Bytyqi, nuk kanë qenë të qasshëm për sqarime.

Por, siç raporton Koha, pacientët e dyshuar me Covid -19 po trajtohen në oborr të QMF’së.

“Tenda në të kaluarën ka qenë në oborr për trajtimin e rasteve me Covid-19, mirëpo pas lehtësimit të masave është hequr, ndërkohë nuk është vendosur asnjëherë nga komuna. Tani pacientët e dyshuar me Covid-19 duhet të trajtohen në oborr, për shkak të mospërhapjes së virusit tek pacientët e tjerë brenda objektit”, ka thënë ky burim brenda QKF’së në Shalë.

Argjend Tasholli, kuvendar nga radhët e PDK’së i cili njëherësh e ka publikuar këtë video, nëpërmjet një reagimi ka thënë se menaxhimi me COVID -19 ka dështuar nga Ekzekutivi në Komunën.

“Kryetari ‘Kampion’ i komunës së Lipjanit është strukur diku dhe po e bën gjumin ‘dimëror’. Kryetarit Ahmeti nuk po i intereson shëndetësia, atij nuk po i interesojnë këta qytetarë të Shalës dhe fshatrave përrreth të cilët nuk po kanë as shtretër dhe tenda për të pushuar gjatë marrjes së infuzionit. Kryetarit Ahmeti po i interesojnë̈ rrugicat me asfalte që t’i konvertojë me vota dhe të zhvatë tenderët”, ka thënë përmes reagimit Tasholli.

Sipas tij, menaxhimi i pandemisë nuk është vetëm për të shpërndarë ndihma dhe për t’i mbyllur bizneset pas orës 21:00, por duhet të krijohen kushte për qytetarët dhe pacientët. “Menaxhimi kryesor të cilin duhet të keni prioritet është shëndetësia e cila ka nevojë për kushte bazë për trajtimin e pacientëve. Mjekët edhe në këto kushte të mjerueshme ata po ia dalin me sukses ta kryejnë punën e tyre, andaj stafi mjekësor janë heronjë të gjallë”, ka shkruar Tasholli.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0