OKB mund ta hetojë Kosovën për dëbimin e Tiennmu Ma

HomePolitike

OKB mund ta hetojë Kosovën për dëbimin e Tiennmu Ma

Shteti i Kosovës mund të bëhet subjekt i një hetimi nga Raportuesi Special i OKB-së mbi situatën e Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut.

Kjo për shkak të vendimit për dëbim të juristit të të drejtave të njeriut dhe avokatit Tienmu Ma, i cili ka shërbyer si këshilltar i ish-kryeministrit Albin Kurti, njofton Klan Kosova.

Ky është paralajmërimi që ka dhënë profesori i të drejtave të njeriut James Silk nga Universiteti Yale, në një letër që ia ka dërguar Kryeministrit Avdullah Hoti, Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett si dhe emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Në letrën që ka siguruar Klan Kosova, thuhet se vendimi për largim të Tienmu Ma, jo vetëm nëpërkëmb përparimin e Kosovës drejtë demokracisë dhe vendosjes së ligjit por cënon qartë edhe Deklaratën e OKB-së.

”I nderuar z. Kryeministër:

U ndjeva thellësisht i shqetësuar kur mësova për përpjekjet e vazhdueshme të Qeverisë suaj për të larguar nga Republika e Kosovës juristin e të drejtave të njeriut Tienmu Ma, sidomos tani që jemi në mes të pandemisë COVID-19. Siç e dini, vitin e kaluar z. Ma shërbeu si ekspert juridik i pavarur i Komisionit Hetimor Parlamentar për të zbardhur dëbimin e gjashtë shtetasve turq. Për shkak të punës së tij në këtë rast, z. Ma iu nënshtrua sulmeve publike të papërgjegjshme ndaj integritetit dhe karakterit të tij nga presidenti Hashim Thaçi. Tani e kuptoj se i njëjti departament qeveritar që ishte përgjegjës për dëbimin e shtetasve turq, Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim – dhe, në fakt, disa nga zyrtarët e njëjtë të Departamentit – kanë urdhëruar z. Ma që ta lëshojë vendin. Ai po përballet me kërcënimin e deportimit me forcë.

Kjo sjellje, që mund të shihet vetëm si përpjekje për t’u hakmarrë kundër një juristi të të drejtave të njeriut, thjesht pse ka bërë punën e tij të duhur e të rëndësishme, jo vetëm nëpërkëmb përparimin e Kosovës drejt demokracisë dhe vendosjes së sundimit të ligjit; por cenon qartë edhe Deklaratën e OKB-së për Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut. Abuzime të këtilla përbëjnë bazë për hetimin e veprimeve të Kosovës nga Raportuesi Special i OKB-së mbi Situatën e Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut.

Unë e kam njohur z. Ma për gati 11 vjet. Në Fakultetin Juridik të Universitetit “Yale”, ai ishte student në klinikën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut “Allard K. Lowenstein”, ku unë ligjëroj. Ai gjithashtu fitoi bursën e felloushipit veror të të drejtave të njeriut “Kirby Simon” për të dy verat gjatë studimeve në juridik. Unë drejtoj programin e felloushipit dhe konsultohem me të gjithë studentët që aplikojnë për fellouship, lexoj raportet e tyre përfundimtare të felloushipit dhe diskutoj me ta për përvojat e tyre gjatë verës, pasi kthehen në fakultet. Pas studimeve për drejtësi, z. Ma fitoi felloushipin e të drejtave të njeriut nga Fondacioni “Robina” i Fakultetit Juridik në Yale, për të punuar si këshilltar i posaçëm për të drejtën ndërkombëtare të të njeriut në Institucionin e Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës, ku vazhdoi të punonte për më shumë se tri vjet e gjysmë. Më së fundmi, ai shërbeu si këshilltar i të drejtave të njeriut për paraardhësin tuaj, kryeministrin Albin Kurti, duke luajtur një rol në përpjekjet e suksesshme të Qeverisë për të vënë nën kontroll pandeminë COVID-19 në Kosovë, para se ju të merrnit detyrën. Unë kam mbajtur kontakt me z. Ma gjatë vitit të felloushipit dhe më pas në vazhdimësi. E njoh mirë dhe ia njoh mirë karakterin.

Ma është person me integritet të pamasë dhe me karakter të lartë moral. Unë kam privilegjin t’u ligjëroj disa prej studentëve më të mirë në botë, dhe ata që regjistrohen në klinikën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut “Lowenstein” jo vetëm se janë jashtëzakonisht të talentuar, por edhe të zotuar për të çuar përpara drejtësinë dhe të drejtat e njeriut. Ata janë prore ndër njerëzit më të përkushtuar, bujarë e të përulur që kam njohur ndonjëherë. Brenda këtij grupi prej qindra studentësh të jashtëzakonshëm – dhe tani ish-studentëve – do ta vendosja zotin Ma në rrethin e ngushtë të atyre te të cilët kam besim të padiskutueshëm edhe për çështjet më të ndjeshme. Unë kam besim të madh në cilësinë e punës së tij, por më e rëndësishmja, nuk kam ngurrim rreth përkushtimit të tij ndaj ndershmërisë dhe korrektësisë. Ky përkushtim është i fortë dhe i pjekur.

Jam i pikëlluar që Qeveria juaj, për çka duket të jenë arsye të pahijshme politike, po kërcënon të largojë me forcë këtë goxha djalë dhe shërbyes publik të dedikuar nga vendi të cilit është përpjekur t’i shërbejë besnikërisht, duke sakrifikuar herë-herë edhe interesat e veta. Për hir të reputacionit të Kosovës si shtet demokratik që respekton të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, ju nxis të garantoni sigurinë e z. Ma. Për më tepër, ju nxis, së pari, që Qeveria juaj të mos ndërmarrë hapa për të deportuar z. Ma dhe, së dyti, që Qeveria juaj të rishqyrtojë vendimin e vet të pavend e të dëmshëm para se kjo çështje të bëhet shkak i turpërimit ndërkombëtar të Kosovës dhe para se t’i sjellë dëm të mëtejmë z. Ma.

Ju faleminderit për konsideratën tuaj në këtë çështje

Sinqerisht James Silk”.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0