Nuk përfillet OBSH-ja, vazhdon trajtimi i pacientëve me ilaçin Remdesivir

HomeAktualitet

Nuk përfillet OBSH-ja, vazhdon trajtimi i pacientëve me ilaçin Remdesivir

Organizata Botërore e Shëndetësisë, të premten ka kërkuar nga institucionet shëndetësorë, që mos ta përdorin ilaçin antiviral Remdesivir, për trajtimin e pacientëve me Covid-19, pasi që nuk efekte pozitive. Përkundër efekteve anësore të këtij ilaçi, institucionet shëndetësore në vend po vazhdojnë t’i trajtojnë pacientët me të.

Institucionet Shëndetësore në vend, po vazhdojnë të përdorin ilaçin antiviral Remdesivir, për të trajtuar pacientët me Covid-19, shkruan Gazeta Express.

Përkundër që Organizata Botërore e Shëndetësisë të premten kërkoi nga institucionet shëndetësore që mos ta përdorin këtë ilaç, për shkak se nuk ka efekte në shërimin e pacientëve, një rekomandim i tillë nuk po përfillet në vend.

Kryeshefi i mjekimit intensiv, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Rexhep Gjyliqi, ka thënë për Gazetën Express, se pacientët me Covid-19, po vazhdojnë ta përdorin këtë ilaç për tu trajtuar.
Ai është shprehur se rastet të cilat u kalojnë në mjekimin intensiv, veçse janë me terapi, ku përfshihet edhe Remdesiviri.

“Te ne ka filluar më vonë të shkruhet Remdesiviri. Në klinikën tonë vinë rastet e komplikuara, jo rastet e lehta kur edhe fillon të merret Remdesiviri, por pacientë që veçse janë duke e marrë atë”, ka thënë ai.

Ai është shprehur se momentalisht ka mungesë të furnizimit me këtë ilaç, por që Ministria e Shëndetësisë u ka premtuar furnizim të.

Gjyliqi ka thënë tutje, se do të kërkojnë sqarime nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për përdorimin e tij, pasi që është njoftuar se nuk ka efekte për shërimin e pacientëve.

Në anën tjetër, infektologu Ilir Tolaj, ka thënë për Express se Remdesiviri nuk ka asnjë efekt pozitiv te personat me Covid-19.

Sipas tij, studimet e mëhershme që nuk ishin shume optimiste për efektin e Remdesivir në mjekimin e të sëmurëve me Covid-19, u vërtetuan me studimin e bërë nga OBSH-ja.

Me ç’rast, sipas tij, doli se përdorimi i Remdesivirit ka edhe efekte anësore.

Tolaj është shprehur se institucionet shëndetësore në vend duhet ta ndalojnë blerjen dhe përdorimin e këtij ilaçi.

“Autoritetet shëndetësore të Kosovës duhet ta ndalojnë përdorimin e tij në Kosovë dhe gjithashtu të anulojnë blerjen e sasive të konsiderueshme të këtij ilaçi të paefektshëm”, ka thënë ai.

Përkundër që po kërkohet mospërdorimi i këtij ilaçi, Ministria e Shëndetësisë ka dërguar kërkesë për prokurim në vendet e Bashkimit Evropian për furnizim me të.

Remdesiviri importohet me çmim prej 40 eurove, në Kosovë shitet 200 euro

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila është edhe pjesë e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Fatmire Kollçaku, ka deklaruar se klinicistët duhet të marrin një qëndrim sa i përket përdorimit të këtij ilaçi.

Për këtë, sipas saj, ata duhet të konsultohen edhe me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

“Klinicistët duhet të marrin një qëndrim në lidhje me përdorimin e këtij ilaçi, pasi për aplikimin e terapisë, vendosin ata. Është obligim i tyre që të marrin një qëndrim rreth aplikimi të tij, sidomos pas qëndrimit të fundit të OBSH-së”, ka thënë ajo.

Derisa ky ilaç po ju përshkruhet pacientëve, Kollçaku është shprehur e shqetësuar për çmimin e lartë të tij.

Ajo ka thënë se ky ilaç importohet me një çmim prej 40 eurove, por shitet rreth 200 euro në vend.

“Duhet të ndalet abuzimi me çmime. Flitet që ky ilaç po importohet me çmim prej 40 eurove, por që po shitet 200 euro. Kjo edhe po i vendos pacientët në një situatë shumë të rëndë”, ka shtuar ajo.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0