“Nuk dua ushqim, as para”; vajza e përlotur dridh zemrat e shqiptarëve me kërkesën unike (video)

HomeAktualitet

“Nuk dua ushqim, as para”; vajza e përlotur dridh zemrat e shqiptarëve me kërkesën unike (video)

Njerëzit emigrojnë në kërkim të një jete ndryshe, kryesisht për të pasur mundësi ekonomike më të mira. Ka mijëra të tjerë që ikin nga vendet e luftës për të shpëtuar kokën, ndaj dhe kriza e emigrantëve është përhershme, me ulje-ngritjet e veta. Shqiptarët e kanë nisur masivisht këtë trend që në vitin 1990, për ta vijuar rregullisht edhe në ditët e sotme. Shkak është situata e vështirë ekonomike, tranzicioni i gjatë demokratik, që nuk mundëson dritë në fund të tunelit. Afganët dhe sirianët, për momentin, shihen si emigrantët më të shumtë, në përpjekje për të mbërritur në vendet kryesore e të zhvilluara të Europës.

Kalimi tranzit i klandestinëve vijon me intensitet edhe përmes Shqipërisë. Çdo ditë vërehen grupe të tilla emigrantësh që vijnë nga Greqia dhe përmes territorit shqiptar kalojnë drejt Malit të Zi. Një grup shtetasish nga Afganistani, teksa ishin duke bërë këtë itinerary, është ndaluar nga policia e Pogradecit. “Kemi ecur për 9 ditë. Do të shkojmë në Tiranë, më pas në Shkodër dhe më tej në një shtet tjetër”, – tregon një emigrant.

Pjesa dërrmuese e këtyre emigrantëve janë meshkuj dhe synojnë të shkojnë në vendet europiane, kryesisht për të gjetur një punë që siguron të ardhura për të përballur jetesën. Por, një e re nga Afganistani, mbi të gjitha, kërkon diçka krejt tjetër: “Duam të shkojmë në një vend më të mirë, sepse duam të mësojmë. Kemi nevojë për shkollë. Unë jam kaq e re, dua një shkollë, kam nevojë për një shkollë. Nuk dua ushqim, nuk dua para, por ju nuk e kuptoni dot. Është shumë e vështirë për ne. Na ka marrë policia, por ne nuk jemi terroristë”.

Fjalë tepër prekëse që për një popull si ne, që kemi provuar në kurriz të tilla vuajtje, kalimin e detit me gomone dhe anije, udhëtimin deri në dy javë në këmbë drejt Greqisë, peshojnë shumë. Madje të përlotin, ashtu sikurse lagen me shumicë edhe sytë e vetë të resë afgane, e cila mes ngashërimit ndoshta nuk e di se është kapur nga policia e një vendi, që e ka përjetuar më keq se gjithkush tjetër emigracionin dhe rendjen kuturu nëpër botë, në kërkim të mundësive më të mira për shkollim, punë dhe jetesë. Kujtojmë se mbi 20 mijë shtetas nga Siria, Afganistani dhe të kombësive të tjera janë ndaluar përgjatë këtyre muajve në Shqipëri, ndërsa janë arrestuar dhjetëra persona që i transportonin ata në mënyrë të paligjshme.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0