A mund të mbroheni nga virusi përmes ftohjes së zakonshme? Përgjigjja ”kushton” 8.4 milionë paund

HomeAktualitet

A mund të mbroheni nga virusi përmes ftohjes së zakonshme? Përgjigjja ”kushton” 8.4 milionë paund

Shkencëtarëve britanikë u janë dhënë 8.4 milionë paund që t’u përgjigjen pyetjeve të shumta në lidhje me imunitetin ndaj Covid-19, sipas “Daily Mail”.
Ndër temat që do të hulumtohen është edhe ajo nëse e ftohura mund të na mbrojë nga sëmundja dhe sa zgjasin antitrupat.

Paratë do të shpërndahen në tre studime të veçanta që do të merren me hetimin e përgjigjes imune ndaj SARS-CoV-2, virusi që shkakton Covid-19.

Hulumtimi do të përfshijë gjithçka, duke filluar që nga arsyet pse disa njerëz kanë infeksione të buta, deri tek ajo se çfarë ndodh me organet ditët e fundit të jetës, tek njerëzit që vdesin nga Covid-19.

Kërkimi dhe Inovacioni i Mbretërisë së Bashkuar dhe Instituti Kombëtar për Kërkime Shëndetësore po financojnë studimet, të cilat bëjnë bashkë shkencëtarë nga 17 institucione.
Kryeshefi i Mjekësisë për Anglinë, Prof. Chris Ëhitty tha: “Të kuptuarit se si sistemet tona imune reagojnë ndaj Covid-19 është thelbësore për t’u dhënë përgjigje disa prej pyetjeve kryesore në lidhje me këtë sëmundje të re, përfshirë pyetjen nëse ata që kanë pasur sëmundjen zhvillojnë imunitet dhe sa zgjat kjo, dhe pse disa preken më rëndë”.

Do të zbulohet gjithashtu nëse njerëzit që kanë pasur infeksione të mëparshme me koronavirusë sezonalë, të cilët shkaktojnë ftohjen e zakonshme, kanë një lloj mbrojtjeje të tërthortë kundër SARS-CoV-2.

Studiuesi kryesor, Prof. Paul Moss tha: “Ka aq shumë gjëra që duhet të mësojmë ende, përfshirë mënyrën se si koronavirusi i ri ndërvepron me sistemin tonë imunitar dhe, me këtë investim, ne kemi një mundësi unike për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve kryesore dhe për të shpejtuar kontrollin efektiv të pandemisë”.

Profesori Ëilhelm Schëaeble në Universitetin e Kembrixhit dhe kolegët e tij do të përqëndrohen tek antitrupat dhe tek mënyra se si nivelet e proteinave ndryshojnë tek ata që sëmuren rëndë, krahasuar me ata që sëmuren më pak.

Antitrupat janë proteina të prodhuara nga sistemi imunitar për të luftuar infeksionin, dhe janë të dizajnuara në mënyrë që ata të kujtojnë virusin nëse pushton përsëri trupin.

Autorët e studimit thanë: “Në kujdesin kritik, ne e dimë që shumica e pacientëve kanë nivele të larta të antitrupave ndaj SARS-CoV-2, megjithatë, ajo që ne nuk e dimë është nëse këto antitrupa janë të dobishëm”.

Studimi i tretë i udhëhequr nga Universiteti i Edinburgh do të përqendrohet në mënyrë specifike te pacientët që kanë vdekur nga Covid-19, duke përdorur raportet pas vdekjes për t’i analizuar ato.

Rreth 394,000 paund do të jepen vetëm për studiuesit që do të merren me pacientët e vdekur, për të parë nëse koronavirusi është i pranishëm tek organet vitale.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0