Meliza Haradinaj zmbrapset nga aplikimi për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, shkak Serbia

HomePolitike

Meliza Haradinaj zmbrapset nga aplikimi për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, shkak Serbia

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, është zmbrapsur nga përcaktimi që të mos i jepet zotimi Serbisë se Kosova nuk do të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ministria që drejton ajo ka aplikuar dhe pastaj ka tërhequr aplikimin për t’u bërë nënshkruese e Konventës së Gjenevës.

Burime brenda Ministrisë i kanë thënë KOHËS se aplikimi ka ndodhur para rreth një muaji.

“Por më pas ka pasur ndërhyrje që të tërhiqet aplikimi për shkak të rinisjes së dialogut”, ka thënë burimi.

Ministria nuk ka ofruar sqarime për aplikimin dhe arsyet e tërheqjes, pavarësisht interesimit të KOHËS.

Konventa e Gjenevës përbëhet nga katër marrëveshje bazë, që përfshijnë mbrojtjen e civilëve, të burgosurve të luftës, të plagosurve dhe të punonjësve humanitarë. Ajo është nënshkruar dhe ratifikuar nga 194 shtete.

Pas heqjes së reciprocitetit nga Qeveria Hoti, kërkesë tjetër e Serbisë ishte që Kosova t’i pezullojë kërkesat për anëtarësime në organizata ndërkombëtare, si kusht për ta ndalur fushatën e çnjohjeve dhe rikthim në tryezën e negociatave.

Përmbushjen e kërkesës ia kishte konfirmuar kryeministri Hoti, emisarit të presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, para takimit të pezulluar të 27 qershorit.

Por ministrja Haradinaj nuk ishte pajtuar me vendimin që të pezulloheshin kërkesat për anëtarësime.

Nëpërmjet një postimi në Facebook të datës 19 korrik, Haradinaj kishte thënë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës NUK ka asnjë marrëveshje as zotim ndaj Serbisë, dhe aq më pak për të hequr dorë nga avancimi e forcimi i subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

“Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, i njohur nga gati 2/3 e botës, dhe e anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare e rajonale. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës NUK ka asnjë marrëveshje as zotim ndaj Serbisë, dhe aq më pak për të hequr dorë nga avancimi e forcimi i subjektivitetit të saj ndërkombëtar! MPJD e përkrah kryeministrin Hoti dhe ekipin gjithëpërfshirës të Republikës së Kosovës për të dialoguar për arritjen e njohjes reciproke me Serbinë, duke respektuar dy parimet e panegociueshme: integritetin territorial dhe rendin kushtetues. Çdo përpjekje për devijim nga këto dy parime do të dështojë, siç edhe kanë dështuar në të kaluarën”, kishte shkruar Meliza Haradinaj më 19 korrik.

Për opozitën tërheqja nga aplikimi dhe pezullimi i kërkesave të tjera për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë është heqje dorë prej subjektivitetit ndërkombëtar.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka thënë për “Kohën” se, kjo qasje e dëmton vendin sepse ka krijuar një precedent të paparë deri më tani në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Kjo ka pasoja të dy anshme- edhe për procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare por edhe në raport me njohjet. Kjo qeveri ka vepruar sipas kërkesave të Serbisë. Shqetësues është fakti se qeveria ka thënë se kjo masë do të mbetet në fuqi deri më 27 qershor dhe tani jemi kah fundi i gushtit dhe nuk kemi përgjigje nga qeveria nëse po vazhdon ky pezullim. Kjo duhet të qartësohet, por për shtetet tjera dhe Serbinë është e qartë se pezullimi do të ndodh deri në një afat të pacaktuar, apo kur të përfundojnë bisedimet fundi i të cilave nuk mund të dihet”, ka thënë Pacolli, e cila është anëtare e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.

Kosova nuk është anëtarësuar në asnjë organizatë të madhe ndërkombëtare që nga viti 2014, kur hyri në Komisionin e Venedikut. E ato në të cilat është anëtare nuk dihen, për shkak se mungon lista e plotë në faqen zyrtare.

Për t’i hapur rrugë përfaqësimit në nisma rajonale, Kosova nga dialogu i mëhershëm me Serbinë kishte pranuar të përfaqësohej me fusnotë, e cila nuk është shkrirë ende.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0