Media e afërt me LDK-në publikon dokmunete ku thotë se Sveçla la të hapur kasafortën ku ruhen dokumentet konfindenciale të shtetit

HomeAktualitet

Media e afërt me LDK-në publikon dokmunete ku thotë se Sveçla la të hapur kasafortën ku ruhen dokumentet konfindenciale të shtetit

Kasaforta me dokumente të klasifikuara shtetërore që mbajnë vulën e konfidencialitetit dhe të cilat lidhen direkt me sigurinë kombëtare u la e hapur në zyrën e ish-u.d. të Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, aty ku duhej të ishin nën dry. Për shkak të rëndësisë së këtyre dokumenteve konfidenciale, vetëm persona të caktuar do të duhej të kenë qasje në to, e për më tepër publikimi i përmbajtjes së tyre pa u deklasifikuar është vepër e penale e dënueshme me burgim. Kasaforta u gjet e hapur më 4 qershor 2020, kur Agim Veliu u kthye në këtë zyrë, pas ndryshimit të Qeverisë, për të pasuar Xhelal Sveçlen, që deri atë ditë ushtroi detyrën e Ministrit të MPB-së.

Përveç se u lanë të hapura këto dokumente të rëndësishme dhe konfidenciale për sigurinë e shtetit u gjeten edhe të pa sistemuara mirë. Me ligj parashihen sanksione penale jo vetëm për ata që e nxjerrin por edhe ata që nuk e mbrojnë rrjedhjen e këtyre dokumenteve në publik. Reporteri.net sjell detajet.

Një dollap që përveç se i mbyllur, do të duhej të jetë i siguruar mirë, e që ndodhet brenda kabinetit të Ministrit të Punëve të Brendshme, është gjetur i hapur më 4 qershor 2020, kur ministri Agim Veliu dhe përcjellësit e tij u kthyen në zyrë.

Fjala është për kasafortën në të cilën ruhen dokumentet konfidenciale të ministrit të Punëve të Brendshme.

Një mori dokumentesh të klasifikuara si konfidenciale, që përmbajnë të dhëna të rëndësishme për sigurinë e shtetit – e që rrjedhja e tyre jashtë kësaj kasaforte, sikurse edhe mos mbajtja e tyre e fshehtë, është e dënueshme edhe me ligj – përveç se u lanë, u gjeten të pambyllura me dry dhe ishin edhe të pasistemuara mirë.

Secili dokument ka vulën e klasifikimit të sigurisë për shkak të rëndësisë që kanë, e që rrjedhimisht përmbajnë informacione të cilat lidhen direkt me sigurinë kombëtare, në të cilat assesi nuk do të duhej të kenë qasje personat e paautorizuar, e që lënia e hapur e kësaj kasaforte rrezikonte rrjedhjen e tyre tek të paktën anëtarët e kabinetit të ish-ministrit qasja e të cilëve në këto dokumente nuk parashihet as me rregulloren për Sigurimin fizik të informacionit të klasifikuar dhe dënohet me nenin 50 të Ligjit për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë.

I njëjti nen i këtij ligji parasheh dënimin deri në 5 vite burgim edhe për ata që nuk mbrojnë informacionin e klasifikuar, siç mund të ketë ndodhur në rastin e kasafortës më dokumente konfidenciale të MPB-së.

Se kasaforta u gjet e hapur, në ditën kur në MPB u kthye ministri Agim Veliu, pohon një raport që Ministria e Punëve të Brendshme e ka përpiluar 4 ditë më vonë, puna e të cilit nisi po atë ditë kur Veliu mori sërish detyrën e ministrit të MPB-së.

Deri atë ditë, këtë pozitë e kishte ushtuar Xhelal Sveçla, si zëvendësministër i tij, deri në ditën kur Veliu ishte shkarkuar nga Qeveria e shkuar Kurti, veprim ky që u bë ‘sebep’ i rrëzimit të ekzekutivit, pas vetëm pak më shumë se 50 ditë pune.

Veliu kishte refuzuar të qëndronte atë ditë në zyrë, pa u konstatuar dhe evidentuar gjendja e kasafortës që u gjet e hapur, prandaj urdhëroi krijimin e një komisioni për Evidentimin e Lëndeve në Kabinetin e Ministrit.

“Komisioni konstaton se kasaforta në të cilën ruhen dokumentet konfidenciale në Kabinetin e Ministrit të MPB-së, është gjetur e hapur në momentin e pranimit të detyrës së Ministrit të MPB-së z. Agim Veliu me datën 04 qershor 2020”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Gazeta Online ‘Reporteri.net’, që shpjegon gjetjet e komisionit.

Çelësi për hapjen e kësaj kasaforte, sipas rregulloreve në fuqi, ruhet nga drejtuesi i institucionit ku ndodhet ajo, në këtë rast ministri i Brendshëm, dhe mund të bartet tek persona të tjerë vetëm me autorizimin e tij dhe pasi personi tjetër ka kaluar verifikimin e sigurisë.

Kasaforta që u gjet e hapur klasifikohet tek se “Zona e Sigurisë e Klasit të Dytë”, dhe përveç që të mos qëndrojë e hapur, ajo do të duhej të ishte edhe e siguruar mirë.

Raporti i MPB-së i siguruar nga Gazeta Online ‘Reporteri.net’ tregon se brenda kësaj kasaforte ruhen mbi 170 dokumente, që përmbajnë memorandume të ndryshme të kësaj Ministrie, bashkë me vendime të ministrit të Brendshëm për Policinë e Kosovës.

Sikurse brenda kasafortës që u gjet e hapur, sipas raportit të siguruar nga Reporteri.net, ndodhen edhe korrespodenca të ndryshme, marrëveshje dhe vendime të pambyllura dhe një dekret për falje, e që klasifikohen si shkresa konfidenciale për shtetin.

Në të njëjtën kasafortë, pa dry dhe siguresa tjera u lanë edhe disa zarfe të hapura e që mbanin vulën si dokumente konfidenciale nga organet e sigurisë në vend. Të njëjtat, theksohet në dokument, ishin edhe të pasistemuara.

“Komisioni nuk e ka bërë shikimin dhe as regjistrimin e përmbajtjes së shkresave, pro vetëm ka bërë evidentimin e tyre në aspektin sasior, pa u lëshuar në përmbajte apo edhe në numra protokolli, data, etj.”, thotë raporti i datës 8 qershor 2020.

Ky dokument nuk sqaron nëse brenda kasafortës ka munguar ndonjë dokument konfidencial apo me klasifikim tjetër më të lartë të sigurisë, që ruhen në zyrën e ministrit të Punëve të Brendshme.

Për faktin se përmbajtja e dokumenteve të klasifikuara nuk guxon të rrjedhë në publik, dokumenti i MPB-së i siguruar nga Reporteri.net, flet për mbi 170 dokumente me vulën konfidenciale, por shmang përmbajtjen e tyre ngase në atë pjesë nuk është e autorizuar të kenë qasje as stafi i Ministrisë e as komisioni, në ketë rast, për regjistrimin e lëndëve në Kabinetin e ministrit të MPB-së.

Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka provuar të kontaktojë për sqarime me të gjitha palët e involvuara në këtë rast. Ministri Agim Veliu nuk është përgjigjur për disa ditë rresht në thirrjet e gazetës, e të hënën as në pyetjet e dërguara me SMS për të shpjeguar gjendjen se si e gjeti kasafortën në kabinetin e tij dhe nëse konsideron se rrezikohet siguria kombëtare me rrjedhjen e këtyre dosjeve konfidenciale dhe për masat që ka ndërmarrë ai.

Edhe ish-u.d. i ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, gjatë të hënës, ka qenë i paqasshëm për Reporteri.net për të treguar nëse ka lënë të hapur kasafortën kur u largua nga zyra dhe kujt ia ka dorëzuar çelësin e saj me të lënë detyrën. Gjithashtu, Sveçla është pyetur me SMS nëse ka shfletuar dokumentet që ndodheshin brenda kasafortës dhe nëse ka marrë kopje të tyre me vete.

As AKI-ja e cila involvohet për shkak se pjesa më e madhe e dokumenteve brenda kasafortës janë shkresa të tyre, nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara me e-mail gjatë javës së shkuar.

Si duhet të ruhet kasaforta dhe nga kush mbahet çelësi i saj

Sipas një rregulloreje që ishte nxjerrë nga Kryeministri i Kosovës, në tetor të vitit 2011, për Sigurimin Fizik të Informacionit të Klasifikuar, kasaforta që u gjet e hapur në kabinetin e ministrit të MPB-së, klasifikohet se “Zona e Sigurisë e Klasit të Dytë” dhe është “Zona ku ruhet dhe administrohet informacion i klasifikuar “Konfidencial” dhe nivelet më të larta”.

Në këtë zonë kontrollohen hyrje-daljet dhe lejohet hyrja vetëm për personat e autorizuar, thuhet në rregullore.

Në rastin në fjalë, çelësi i kasafortës në MPB mbahet nga ministri, dhe ka një procedurë të sigurisë për transferimin e drynit për hapjen e saj tek personat tjerë, shkruan Reporteri.net.

“Drejtuesit e institucioneve publike, ku prodhohet, përpunohet, shpërndahet, transmetohet dhe ruhet informacioni i klasifikuar, kane për detyre te marrin masat për sigurimin e këtyre mjediseve ne përputhje me vëllimin e informacionit të klasifikuar. Ato marrin masa për pajisjen e mjediseve me kasaforta e brava automatike si dhe përdorimin e çelësave dhe drynave te veçante nga ata te përdorimit te zakonshëm”, thuhet në rregullore.

Tutje, neni 5 i të të njëjtës rregullore, që rregullon “Ruajtjen e informacioneve të klasifikuara sipas nivelit të klasifikimit”, specifikon se për informacionet e nivelit KONFIDENCIAL, dokumente me vulë të tillë të cilat ruhen edhe në kasafortën që u gjet e hapur në MPB “duhet të vendosen pengesat mekanike si dhe alarmi elektronik i sigurisë”.

Në një nga pikat e nenit 6 të Rregullores për Sigurimin Fizik të Informacionit të Klasifikuar, që rregullon “Standardet minimale të sigurisë” precizon se në zona të tilla “dyert e hyrjes duhet të jenë të siguruara me dry me kombinacione me tri pozicione të ndërtuara, ose në raste të veçanta, dry tjerë të aprovuar nga autoriteti kompetent, vetëm për dhomat ku ruhet informacioni “TEPËR SEKRET”, SEKRET” dhe “KONFIDENCIAL””.

Aty rregullohet se çelësat e hapësirave ku ndodhen dokumentet konfidenciale duhet të jenë të siguruara dhe se këta çelësa nuk duhet të merren jashtë zyrave të ndërtesës.

“Njohja e kombinacioneve lejohet vetëm për personat e autorizuar me shkrim nga titullari i institucionit publik të cilat janë të certifikuar pershtatshmerisht”, thuhet në rregullore.

“1.11. çelësat e punës dhe ata rezervë duhet të mbahen në rafte të ndryshme të metaltë; 1.12. zarfet ku vendosen çelësat dhe kombinacionet duhet të ruhen në atë nivel sa është niveli i informacionit në të cilin mundësohet qasja”, thotë rregulloja e cila obligon edhe që çelësat dhe kombinacionet duhet të ndërrohen në intevale kohore jo më të gjatë se 12 muaj.

Ligji parasheh dënim më burgim edhe për ata që nuk mbrojnë informacionet e klasifikuara

Në Kosovë, informacionet e klasifikuara mbrohen me ligj të veçantë që ka për qëllim themelimin e një sistemi unik për klasifikimin dhe ruajtjen e informacioneve që kanë të bëjnë me interesat e sigurisë së Kosovës si dhe për verifikimin e sigurisë së personave që kanë qasje në këto informacione.

Neni 50 i Ligjit për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë parasheh sanksione penale për rrjedhjen në publik të dokumenteve siç ruhen në kasafortën e MPB-së.

Për më tepër, i njëjti nen i këtij ligji, parasheh dënimin me deri në 5 vite burgim edhe për ata që nuk mbrojnë informacionin e klasifikuar, siç mund të ketë ndodhur në rastin e kasafortës më dokumente konfidenciale të MPB-së, shkruan Reporteri.net.

“Personi i cili pa autorizim publikon informacionin e klasifikuar sipas këtij ligji si ”KONFIDENCIALE” dhe cilido bartës i autorizuar i informacionit të tillë të klasifikuar i cili nuk e mbron informacionin e klasifikuar siç kërkohet me këtë ligj, kryen vepër penale dhe dënohet me burgim prej një deri pesë (5) vite”, thuhet në këtë ligj të miratuar në gusht të vitit 2010 nga Kuvendi i Kosovës.

Ky ligj, në nenin 40 parasheh edhe Regjistër të Sigurisë për secilin person që ka qasje në dokumentet e klasifikuara, sikurse verifikim paraprak nga autoritetet e sigurisë për personave që shohin dokumentet e klasifikuara.

“Çdo drejtues i një institucioni publik krijon dhe përditëson rregullisht një regjistër të sigurisë, i cili përmban informacione rreth emrit, mbiemrit, pozitës dhe rangut të personave të autorizuar për të pasur qasje në informacionet e klasifikuara që mbahen në institucionin publik përkatës”, thotë pika e parë e nenit 40 të Ligjit për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë.

Në pikën pasuese specifikohet se “Autoriteti Verifikues mbanë një regjistër qendror të emrit, mbiemrit, pozitës dhe rangut të të gjithë personave në Kosovë të autorizuar për të pasur qasje në informacionet e klasifikuara si “KONFIDENCIALE”, “SEKRET” apo “TEPËR SEKRET””.

Në tre nene më lartë, në atë të 37-të të këtij ligji, rregullohet “Qasja e Përkohshme në informacionet e Klasifikuara”, thuhet se “kur ekziston nevojë detyruese zyrtare për të pasur qasje në informacionet e klasifikuara, drejtuesi i institucionit publik mund t’i japë leje një personi i cili nuk e ka verifikimin e sigurisë që kërkohet për qasje në nivelin e klasifikimit të informacionit, pasi që t’i ketë dhënë autoritetit verifikues njoftim paraprak.

Aty edhe specifikohen kushtet për të tilla raste: “1.1. personi të ketë leje të vlefshme të sigurisë mirëpo jo për nivelin e klasifikimit për të cilin kërkohet qasja; 1.2. autoriteti verifikues të mos kundërshtojë me shkrim brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga pranimi i njoftimit. 2. Leja për qasje të përkohshme në informacione të klasifikuara është e vlefshme për periudhë të pa ripërtërishme që nuk tejkalon gjashtë muaj”.

Për të pasur qasje në dokumentet konfidenciale, siç ruhen në kasafortën e MPB-së, personat e autorizuar, sipas nenit 30 të ligjit për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, i nënshtrohen Procedure së thjeshtë të Verifikimit të Sigurisë.

“1. Procedura e thjeshtë e verifikimit të sigurisë zbatohet ndaj personave të cilët duhet të kenë qasje në informacionet e klasifikuara si “KONFIDENCIALE”. 2. Autoriteti verifikues verifikon nëse informacionet e dhëna në pyetësorin e sigurisë janë të plota dhe të sakta. Për këtë qëllim, autoriteti verifikues inspekton regjistrat e statusit civil, dosjet mbi veprat penale dhe çfarëdo regjistri apo bazë të të dhënave tjetër zyrtare kombëtare apo ndërkombëtare. 3. Procedura e thjeshtë e verifikimit të sigurisë përfundon brenda tre (3) muajve nga dita e fillimit të kësaj procedure”.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0