Mandat të dytë për Thaçin? Vetëvendosje thotë se LDK po synon ta mbajë në krye të shtetit

HomePolitike

Mandat të dytë për Thaçin? Vetëvendosje thotë se LDK po synon ta mbajë në krye të shtetit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në shkurt të vitit të ardhshëm do të sfidohen në votimin e presidentit të vendit. Derisa të parit të shtetit, Hashim Thaçi i kanë mbetur edhe nëntë muaj mandat, Lëvizja Vetëvendosje dhe njohës politikë konsiderojnë se Thaçi do të synojë edhe një mandat tjetër pesëvjeçar me votat e LDK-së dhe partive të tjera parlamentare. Por këtë e mohojnë nga partia e Isa Mustafës dhe Ramush Haradinajt.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu thotë për KosovaPress se kanë informacione se LDK-ja si shpagim për mundësinë e formimit të qeverisë, mund të votojë Thaçin sërish për president.

“Kam dëgjuar edhe një rrezik që mund të ndodh, që ne do të angazhohemi që kjo mos të ndodh. Presidenti Thaçi të ketë edhe një mandat. Kjo të ishte fatkeqësi e madhe për Kosovën dhe për interesat e qytetarëve të Kosovës”, thotë ajo.

Por kategorik kundër kësaj për KosovaPress u shpreh nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Ai thotë se nuk kanë asnjë marrëveshje me Thaçin për një gjë të tillë, derisa shton se dështimi i Kuvendit të Kosovës në zgjedhjen e presidentit do të qojë Kosovën në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Haziri: Hashim Thaçi nuk ka marrëveshje me LDK-në për një mandat tjetër për president

“Zotëri Thaçi e ka një mandat të fituar që ne në një marrëveshje ia kemi dhënë besimin. Ai nuk ka marrëveshje me ne, partia e tij nuk ka marrëveshje me ne…14:00 Shkurti është afër, mos zgjedhja e presidentit, apo dështimi i Kuvendit, Kosova shkon në zgjedhje edhe ashtu. Po flasim për një periudhë kohore të shkurtër”, thotë ai.

Se AAK-ja nuk ka vota edhe për një mandat tjetër të presidentit Hashim Thaçi e thotë nënkryetari i kësaj partie, Ardian Gjini.

Ai u shpreh se koalicioni mes AAK-së, LDK-së dhe Nismës nuk ka vendosur kushte për pozitën e presidentit të vendit.

Gjini: AAK ka marrë vendim moti që mos ta votojë Thaçin

“Ky koalicion nuk ka kushte në mes vete për pozitën e presidentit, nuk ekzistojnë kushte të vendosura nga anëtarët e koalicionit për partitë tjetër në lidhje me Presidentin…Aleanca qysh moti ka marrë vendim që të mos e votoj zotëri Thaçin, nuk e kemi votuar herën e parë, nuk ka biseduar Aleanca se a do ta votojë zotëri Thaçin apo jo, por bindja ime është që jo. Tani pa biseduar pa marrë vendim nuk mund të flas në emër të gjithëve”, thotë ai.

Ndërsa, analisti politik, Rasim Aliaj thotë se procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri do të fillojnë në janar të vitit të ardhshëm. Ndërkaq thotë se LDK-ja dhe AAK-ja i kanë zbutur qëndrimet rreth një votimi të mundshëm nëse rikandidohet për president Hashim Thaçi.

Aliaj: Kandidatura e presidentit Thaçi lidhet me një marrëveshje politike

“Është e rëndësishme se cilido kandidim i presidentit Thaçi lidhet me një marrëveshje politike që mund të ketë me gjitha subjektet politike, e veçanti me LDK-në…AAK-ja i ka zbutur rreth një votimi të mundshëm në rast të rikandidimit të Thaçit për president. E gjitha ju mbetet marrëveshjeve politike”, thotë ai.

I pari i shtetit, Hashim Thaçi para disa ditëve në një emision televiziv e mohoi mundësinë që të kandidojë sërish për president.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0