LVV kërkon shkarkimin e Rakiqit: Tani vota s’është e lirë dhe procesi s’është demokratik

HomePolitike

LVV kërkon shkarkimin e Rakiqit: Tani vota s’është e lirë dhe procesi s’është demokratik

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Hajrulla Çeku ka këruar shkarkimin e zëvendëskryeministrit Goran Rakiq, i cili e theu heshtjen zgjedhore duke i ftuar qytetarët që të votojnë për Listën Serbe në Mitrovicën e Veriut.

Çeku ka thënë se për shkak të këtij veprimi të Rakiqit, s’mund të ketë as proces demokratik të zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut.

“Para pak minutash, zëvendës kryeministri Goran Rakiq ka thyer rregullat e heshtjes zgjedhore, duke bërë thirrje të hapur që të votohet subjekti të cilit i përket. Kjo është shkelje e Ligjit për zgjedhjet dhe nga ky moment as vota nuk është e lirë dhe as procesi nuk mund të jetë demokratik në Mitrovicën e Veriut. Ndaj tij duhen inicuar masat e domosdoshme, duke filluar nga shkarkimi i tij”, ka shkruar Çeku.

LVV po kështu e ka dorëzuar edhe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ankesën lidhur me thyerjen e heshtjes zgjedhore nga Rakiq.

Ndërsa kandidati i LVV-së për kryetar komune në Mitrovicën e Veriut, Erden Atiq ka pasur ankesa edhe për kandidatin e Listës Serbe, Milan Radejoviq, i cili sipas tij e ka mohuar shtetin e Kosovës dhe i ka ofenduar qytetarët.

“Shkelësit e ligjit nuk mund të qeverisin, ata që nuk njohin ligjet nuk sigurojnë zbatimin e tyre! Ata që i drejtohen Republikës së Kosovës me ‘’Kosovo i Metohija’’ nuk mund të përfaqësojnë qytetarët e këtij vendi. Kryetari i listës serbe, që njëherësh është zëvendëskryeministër, Goran Rakiq ka bërë thirrje të votohet Lista Serbe, duke thyer kështu ligjin për zgjedhje dhe heshtjen zgjedhore, ndërkohë kandidati për kryetar të veriut Radejoviq ka bërë një deklaratë që është në kundërshtim me ligjet në Kosovë, duke mohuar shtetësinë tonë dhe duke ofenduar qytetarët e pjesës veriore! Zyrtarët tonë ligjor kanë dorëzuar ankesën për shkeljen e heshtjes zgjedhore në PZAP”, ka thënë Atiq.

Kryetari i Listës Serbe dhe zëvendëskryeministri aktual në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, pasi ka njoftuar se ishin hapur të gjitha qendrat e votimeve, ka bërë thirrje që qytetarët e Mitrovicës së Veriut të dalin sa më masivisht në zgjedhje dhe ta votojnë kandidatin e këtij subjekti politik, Milan Radojeviq. /GazetaExpress/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0