Lekaj: AAK-ja nuk i bashkohet VV-së, nëse dështon koalicioni me LDK-në

HomePolitike

Lekaj: AAK-ja nuk i bashkohet VV-së, nëse dështon koalicioni me LDK-në

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po i konsideron si presion ndaj Gjykatës Kushtetuese veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeverisë në detyrë, sa i përket vendimin për dekretin e presidentit për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, konsideron se përkundër veprimeve të VV-së, Kushtetuesja do të marrë veprim të drejtë.

Ai thotë se çfarë do vendimi që nxjerrë ky institucion, do të respektohet nga AAK-ja.

“Po me veprimet që i ka bërë Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeveria në detyrë, mendoj që janë veprime që po bëjnë presion ndaj Gjykatës Kushtetuese, mirëpo unë mendoj se Kushtetuesja do të marrë vendim të drejtë dhe ne jemi deklaruar si AAK që çfarëdo vendimi që merr Kushtetuesja, ne do ta pranojmë sepse nuk ka rrugë tjetër, sepse siç e thash është akti më i lartë juridik”, tha Lekaj.

Deklaratat e ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se nuk mund të tregojë nëse e pranojnë vendimin e Kushtetueses, Lekaj i sheh si absurditet.

“Sa i përket deklarimeve të ministres së Drejtësisë, mendoj se është një absurditet sepse nëse është dikush që duhet respektuar ligji dhe Gjykata Kushtetuese është ministria e Drejtësisë, prandaj kjo nuk do koment, sepse mos të respektohet akti më i lartë juridik është diçka që edhe qytetarët duhet ta dinë dhe si mund ta mbështesin një qeveri të tillë”, tha Lekaj.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Lekaj ka thënë se AAK-ja nuk do t’i bashkohet VV-së, nëse dështon koalicioni me LDK-në.

Madje, ai konsideron qeverinë e udhëhequr nga VV-ja, si qeveri e mashtrimit, e cila sipas tij, po punon në dëm të qytetarëve.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0