Kurti sulmon ashpër administratën Trump, Grenellin e quan “kauboj” që s’do t’ia dijë për Kosovën

HomePolitike

Kurti sulmon ashpër administratën Trump, Grenellin e quan “kauboj” që s’do t’ia dijë për Kosovën

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka komentuar takimin që pritet të zhvillohet më 2 shtator në Amerikë në mes të Hotit e Vuçiq.

Kurti në një postim të gjatë në Facebook ka akuzuar Administratën Trump se para zgjedhjeve të nëntorit po dëshiron të ketë një sukses të orëve të fundit në politikën e jashtme, shkruan GazetaLajmi.
Kurti ka shkuar edhe më larg, duke e quajtur Grenellin “Cowboy”, të financave dhe mediave, që sipas tij nuk do t’ia dijë për vuajtjet e popullit të Kosovë.

Lidhur me marrëveshjen finale, Kurti ka thënë se ajo nuk vlenë as sa çmimi i letrës, derisa ka thënë se po synohet të arrihet nga një Qeveri që nuk ka legjitimitet.

“Ata që nga Kosova po duan të shkojnë në këto negociata të thirrura për 2 shtator nuk kanë legjitimitet, kredibilitet, autoritet e as kompetencë. Rrjedhimisht, marrëveshjet e tyre janë të pazbatueshme, dhe, nuk vlejnë as sa çmimi i letrës ku shkruhen”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Postimi i plotë:

Rreth 80 ditë kanë ngelur deri te zgjedhjet e reja në ShBA ku Presidenti Donald Trump përballet me kandidatin demokrat Joe Biden. Fushata atje po intensifikohet ende pa filluar zyrtarisht.

Në këtë kontekst duhet të shihet edhe 2 shtatori si datë e paralajmëruar e negociatave ndërmjet Kosovës e Serbisë në Washington D.C. Ish ambasadori amerikan në Berlin dhe ish u.d. i Drejtorit të Inteligjencës Nacionale, Richard Grenell, e do një sukses të orëve të fundit në politikën e jashtme. Ai pardje kritikoi z. Biden që “premton se problemet e botës do t’i bëjë përgjegjësi të ShBA-ve”, kurse sot vetë ai bëri thirrje për negociata midis Kosovës e Serbisë.

Grenell është i njëjti diplomat që thoshte se nuk ka parë e as diskutuar ndonjëherë për ‘shkëmbim territorial’. Pastaj akuzonte ish Këshilltarin e Sigurisë Nacionale, John Bolton, se ai paska qenë prapa këtij plani, ndërkaq ky i fundit u përgjigj duke thënë se atë e ka dëgjuar nga dy presidentët, të Kosovës e të Serbisë.

Në janar të këtij viti Grenell ndryshoi pozicionin e deriatëhershëm amerikan dhe braktisi të gjitha kërkesat ndaj Serbisë në raport me Kosovën. Grenell ia ka mësyrë kontestit Kosovë-Serbi si një cowboy i financave dhe medieve që nuk do t’ia dijë për historinë e shqiptarëve dhe vuajtjet e humbjet e Kosovës.

Në njoftimin e tij, Grenell tanimë nuk flet për dialog por për negociata. E, negociatat kanë për destinim kompromisin. Kushtetuta e Kosovës e ka përbrenda kompromisin e dhimbshëm të pakos së Ahtisaarit, ndërkaq Kushtetuta e Serbisë vazhdon synimet e Milosheviqit, duke theksuar qysh në fjalinë e dytë të saj se Kosova është pjesë integrale e Serbisë. Nuk mund të ketë as drejtësi e as dobi nga një qasje e tillë.

Prioritete të Kosovës duhet të jenë luftimi i pandemisë COVID-19, pra, dalja nga kriza shëndetësore; luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit të lartë, pra drejtësia shtetërore; dhe, zhvillimi ekonomik e shoqëror, pra punësimi, sidomos i rinisë dhe grave. Qeveria aktuale e Kosovës po dështon në secilin rrafsh.

Sa i përket Serbisë, ne mund të dialogojmë si shtete fqinje, bazuar në parimin e reciprocitetit, dhe pas përgatitjeve të duhura e me transparencë të plotë.

Ata që nga Kosova po duan të shkojnë në këto negociata të thirrura për 2 shtator nuk kanë legjitimitet, kredibilitet, autoritet e as kompetencë. Rrjedhimisht, marrëveshjet e tyre janë të pazbatueshme, dhe, nuk vlejnë as sa çmimi i letrës ku shkruhen.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0