Kurti dikur i quante ekstremistë ata që bënin tifo për një kandidat presidencial të SHBA-së

HomeAktualitet

Kurti dikur i quante ekstremistë ata që bënin tifo për një kandidat presidencial të SHBA-së

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, personat që radhiteshin publikisht përkrah një kandidati presidencial të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i quante ekstremistë.

Ai akuzat e këtilla ia adresonte në prill të këtij viti, muaj përpara fushatës presidenciale të Shteteve të Bashkuara, presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, shkruan Gazeta Express.

Përgjatë një interviste në RTV Dukagjin, ai rikujtonte se si presidenti i Kosovës u radhit haptazi karshi ish-kandidates për presidente të Amerikës më 2016-ën nga radhët e Demokratëve, Hillary Clinton.

“Këta janë ekstrmistë… Nëse ne duam marrëdhënie të fuqishme me ShBA-në, miqësi të përhershme me ShBA-në, ne nuk bën të përcaktohemi në garat e tyre presidenciale”, ligjëronte Kurti në një intervistë televizive.

Madje, Kurti përdorte një fjalë që rrjedh nga zhargoni i lojërave të fatit “all in”, duke e cilësuar si lojë fati përkrahjen publike të kandidates respektive.

I njëjti, vetëm muaj më pas, nëpërmjet një video publike drejtuar qytetarëve të Kosovës, kërkoi mbështetjen e kosovarëve për kandidatin presidencial aktual nga radhët e Demokratëve, Joe Biden.

Ish-kryeministri i Kosovës pati polemika me emisarin special të Shteteve të Bashkuara për çështjen Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Këtë të fundit, atë e cilësonte si faktor kyç për rënien e qeverisë së tij.

I pari i Lëvizjes Vetëvendosje kundërshtonte prerazi kërkesën e Administratës Trump për largimin e tërësishëm të taksës 100%, të vendosur ndaj produkteve serbe dhe boshnjake që synonin të futeshin në hapësirën gjeografike të Kosovës.

Pas rënies nga pozita e kryeministrit, ndërmjetësuesi Grenell nëpërmjet një cicërime në Twitter thoshte se “Kurti është gjithmonë kundër Amerikës”.

“Një gjë është e sigurt, gjithmonë mund të llogarisësh se Albin Kurti do të jetë kundër SHBA-së. Ishte kundër ideve të Obamas dhe ishte kundër ideve të Bushit”, thoshte i dërguari i Trump.

Votimi në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do ndodh më tre nëntor të këtij viti. /Gazeta Express/

https://www.facebook.com/watch/?t=0&v=280698453047663

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0