Kritikat e Isa Mustafës për procesin dialogut, nga Brukseli flasin për Express

HomeAktualitet

Kritikat e Isa Mustafës për procesin dialogut, nga Brukseli flasin për Express

Kryetari i LDK’së Isa Mustafa ka hedhur kritika në drejtim të Bashkimit Evropian për mosvlerësim të përkushtimit të Kosovës në procesin e dialogut. Mustafa shkoi tutje duke thënë se ka tendenca që BE’ja të hap tema në bisedime që janë mbyllur në procesin e Vjenës. Nga kryeqendra evropiane për Gazetën Express thanë se të enjten kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë folur vetëm për pretendimet financiare dhe pronat, duke mohuar se është hapur ndonjë temë tjetër.

Të enjten e 29 tetorit, Skender Hyseni dhe Petar Petkovic janë takuar në Bruksel me ftesë të Emisarit Miroslav Lajçak. Ky i fundit pas takimit tha se janë diskutuar pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronat, duke shtuar se diskutimet për to do të vazhdojë.

Por këtë e ka kontestuar të shtunën kreu i LDK’së, Isa Mustafa, i cili tha se në dialog po tentohet të bisedohet edhe për tema që janë përmbyllur në procesin e Vjenës më 2006.

https://www.facebook.com/IsaMustafaKS/posts/3384730978259782

Madje Mustafa kritikoi BE’në se përkundër konstruktivitetit të treguar nga Kosova në dialog, Bashkimi Evropian nuk po e vlerëson këtë. Ai poashtu pyeti BE’në se si e shpjegon betimin e qeverisë së re të Serbisë se “do të jenë të përkushtuar për ruajtjen e Kosovës e Metohisë brendar Republikës së Serbisë”.

Nga Brukseli në një përgjigje për Express mohuan se në dialog është diskutuar ndonjë temë që është përmbyllur në “Pakon e Ahtisarit” përpos pretendimeve financiare dhe pronës për të cilat janë pajtuar edhe kryenegociatorët që të vazhdojnë diskutimet.

“Më 29 tetor kryenegociatorët u takuan në Bruksel për raundin e dytë të bisedimeve mbi për pretendimet financiare dhe pronën. Përfaqësuesi Special i BE’së, Miroslav Lajçak është shprehur se ky ishte një tjetër hap drejt marrëveshjes gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Palët u pajtuan të vazhdojnë bisedimet në këto tema dhe puna është në vazhdim e sipër për të përgatitur takimin tjetër”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të BE’së.

Tutje nga Bashkimi Evropian thanë se nuk komentojnë deklaratat e palëve përderisa procesi i dialogut është në vazhdim e sipër dhe se diplomati sllovak Lajçak po bën të pamundurën për përparimin e këtij procesi.

“Dialogu me serinë e tij të takimeve në nivele të ndryshme është punë në progres dhe ky proces është duke lëvizur. Por ne nuk komentojmë mbi komentet dhe pikëpamjet e shprehura nga palët në hapat e pjesshëm të këtij procesi. Bashkimi Evropian është lehtësues i dialogut dhe Emisari Special bën të pamundurën që negociatat të përparojnë dhe të ndihmojë dy palët për të mundësuar arritjen e marrëveshjes finale gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, thuhet në përgjigje.

Mustafa është treguar i ashpër me BE’në edhe për vizat, pasi sipas tij Evropa po tregohet paragjykuese duke i mbajtur të izoluar kosovarët përkundër përmbushjes së kritereve nga Kosova.

Deklarata e Lajçakut gjatë vizitës në Kosovë e Serbi se kushtetuta e Kosovës nuk është ‘Bibël’ dhe duhet të ndryshohet kishte shkaktuar reagime të akterëve politikë në Kosovë, për të cilën BE’ja kishte thënë se ai është keqkuptuar pasi ka menduar për ndryshime kushtetuese edhe për Serbinë.

Serbia në anën tjetër vazhdon ta ketë në preambulën e kushtetutës së saj se “Kosova është pjesë e Serbisë”./GazetaExpress/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0