Kaos e radhë të gjata në Vermicë, faji i mbetet palës së Kosovës

HomeAktualitet

Kaos e radhë të gjata në Vermicë, faji i mbetet palës së Kosovës

Rrëmujë dhe radhë kilometrike ka patur në pikën kufitare të Morinës, teksa sot ishte dita e parë e hapjes së kufirit Kosovë-Shqipëri.

Radhët kanë qenë të gjata vetëm në anën e Kosovës, pasi Qeveria miratoi kalimin e kufirit me kritere të veçanta rreth Coronavirus.

“Hapja e kufirit për në Shqipëri është e lirë, ndërsa Kosova e ka hapur kufirin me kritere të përcaktuara, të cilat kanë shkaktuar radhë të gjata”, ka thënë shefi i stacionit të policisë kufitare të Morinit, Ermal Haxhi.

Në bazë të një emaili të mbërritur në pikëkalimin kufitar të Morinit nga Departamenti i Kufirit të Kosovës thuhet se me 1 qershor, sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, hapen për qarkullim pikat kufitare sipas këtij vendimi, duke respektuar kriteret e përcaktuara.
Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë dhe posedojnë testin COVID-19, jo më të vjetër se katër ditë, nuk i nënshtrohen procedurave të vetizolimit, kurse ata që nuk posedojnë testin detyrohen të vetizolohen për 7 ditë. Ky vendim fillimisht ka shkaktuar kaos e pasiguri tek udhëtarët nga Shqipëria, por një urdhër i ardhur më vonë nga Prishtina ka bërë që vetkarantinimi të mos aplikohet për qytetarët nga Shqipëria.

“Vetkarantimi 7-ditor po aplikohet vetëm për qytetarët e Kosovës që vijnë nga vendet e tjera, kryesisht ato perendimore, përpos Shqipërisë. Ndërsa për qytetarët nga Shqipëria ky vendim nuk do të aplikohet, pasi qytetarët e Shqipërisë nuk kanë një vend ku të vetizolohen, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre kthehen brenda ditës në Shqipëri”, ka thënë përgjegjësi i ndërrimit i palës së Kosovës në pikëkalimin kufitar të përbashkët Shqipëri-Kosovë, në Morinë.

Të njëjtën gjë e ka pohuar edhe ekipi mjekësor i stacionuar në Vermicë.

“Për të kaluar në Kosovë shtetasit nga Shqipëria do ta plotësojnë një formular dhe do t’u matet temperatura, pa qenë i nevojshëm vetizolimi 7-ditor”, ka thënë njëri prej personave të stafit mjekësor, që nuk ka dashur ta japë emrin.

Megjithëse radhët e gjata janë krijuar gjatë hyrjes në Kosovë, numri i hyrjeve në këtë vend ka qenë më i vogël, krahasuar me hyrjet nga Kosova në Shqipëri.“Nga ora 24:00 e natës e deri në orën 12:00 të së hënës, 1.304 shtetas të Kosovës kanë hyrë në Shqipëri dhe 327 shtetas të Shqipërisë, pra në total 1.630 persona me 900 automjete.

Ndërsa, nga Shqipëria për në Kosovë kanë kaluar 900 persona me 400 automjete”, ka thënë për KOHËN operatori i policisë kufitare në Morin, Elez Doçi.

Kufiri Kosovë-Shqipëri është mbyllur më 14 mars.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0