“Jurist në Ministrinë e Shëndetësisë, joserioze” Deklarata që përplasi ashpër Armend Zemajn dhe Mimoza Kusarin

HomeAktualitet

“Jurist në Ministrinë e Shëndetësisë, joserioze” Deklarata që përplasi ashpër Armend Zemajn dhe Mimoza Kusarin

Menaxhimi i situatës me koronavirus i ka përplasur mbrëmë në distancë deputeten Mimoza Kusari-Lila dhe ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.Kusari-Lila tha se emërimi i Zemajt në postin e ministrit të Shëndetësisë është ofendim për qytetarët, ndërsa Zemaj ka thënë se fjalët e Kusarit janë motivim për të punuar dhe për të, duke ia përmendur aktakuzën e ngritur së fundi ndaj saj.
“Duhet të ketë person që e kupton seriozitetin e situatës. Në fund nëse je në pozitë të tillë, s’je vetëm i partisë që të ka deleguar, por i gjithë qytetarëve. Sjelljen e Zemajt e konsideroj joserioze. Vetë emërimi i tij pa bagazh në sektorin e shëndetësisë ka qenë joserioze, dhe gati se ofendim për qytetarët, nga ana e LDK-së. Është jurist, ka bagazh në punët parlamentare, është përfolur si i nominuar për Bujqësi e në fund doli ministër i Shëndetësisë. Kjo tregon mungesën e seriozitetit për trajtimin e pozitave qeveritare. Ka pas tendencë vetëm që të vihet te pushteti. Të tjerat janë subjekt i pazarit. Ndodhi mu në mes të pandemisë”, tha Kusari-Lila në Interaktiv.

Pak pas kësaj deklarate, Zemaj, përmes një postimi në Facebook i është përgjigjur Kusari-Lilës duke ia theksuar akuzën nga Prokuroria Speciale për rastin e “faljes së hidrocentraleve”.“E akuzuara nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, znj. Mimoza Kusari (aktakuzë pran Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special) për krim të organizuar për shitjen dhe privatizimin kriminal të katër hidrocentraleve, pasuri e qytetarëve të Kosovës, e paska quajtur ofendim për qytetarët e vendit, zgjedhjen e një juristi në krye të MSh-së. Tani çka quajmë ofendim: të qenurit jurist i njohur apo të lavdërohesh nga kaskaderët politik dhe të akuzuarit për krim, zhvatje e korrupsion? Qytetarë të vendit tim, edhe një motiv shtesë për mua që të punojmë me shumë në avancimin e sistemit shëndetësor të Kosovës”, ka shkruar Zemaj.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0