Ja arsyeja e çuditshme pse kosovarit i refuzohej pasaporta e zvicerane

HomeAktualitet

Ja arsyeja e çuditshme pse kosovarit i refuzohej pasaporta e zvicerane

Komuna e vogël e fshatit Bubendorf në Kantonin Baselland ka refuzuar një kohë të gjatë natyralizimin e kosovarit Hamdi Halili – me argumente që nuk qëndronin. Tani fshati është i detyruar ta bëjë këtë, shkruan srf.ch.

Rreth gjashtë vjet më parë, kosovari Hamdi Halili pati bërë kërkesë për natyralizim në komunën Bubendorf. Ai dhe familja e tij konsiderohej se ishin të integruar mirë. Por komuna kishte kundërshtuar t’i jepte atij pasaportën zvicerane. Një nga arsyet kundër tij, siç ka shkruar disa herë edhe albinfo.ch ishte preteksti absurd: Hamdi Halili është parë në fshat me “trenerka” (tuta)!

Pas kësaj, kosovari ka bërë një ankesë, i mbështetur edhe nga bashkëfshatarë të shumtë. Gjykata Kantonale ka miratuar këtë ankesë dhe ka udhëzuar komunën të rishqyrtojë kërkesën duke siguruar një justifikim ligjërisht korrekt.

Në vitin 2019, komuna ka refuzuar përsëri kërkesën e Halilit. As kësaj here arsyet nuk ishin më të bazuara se në herën e parë: ai i kishte rezistuar vendimit për refuzim të aplikimit të tij për natyralizim, dhe kjo, vetvetiu fliste kundër tij, sipas komunës. Përveç kësaj, ai nuk jetonte më në Bubendorf.

Mosmarrëveshje me kantonin

Por, kësaj here, ka ndërhyrë qeveria e kantonit të Baselland-it dhe ka udhëzuar komunën që të natyralizonte Halilin “menjëherë”, pasi justifikimi i tyre është ligjërisht i pavlefshëm. Por bubendörfasit kanë kundërshtuar edhe këtë vendim. Kështu, Gjykata Kantonale u desh të merrej përsëri me çështjen.

Kjo e fundit tani ka ardhur në përfundimin se refuzimi i natyralizimit në vitin 2019 nuk ishte i ligjshëm. Në këtë rast, ai është një vendim politik dhe jo vendim administrativ. Një nga gjykatësit arsyeton kështu: “Nëse dikush kalon testin e vozitjes, kantoni nuk mund t’i refuzojë këtij personi lejen, duke thënë, për shembull, se ai po dëgjon muzikë me zë të lartë”.

Halili tani është natyralizuar

Faktin që u desh të ndërhynte qeveria dhe të detyronte komunën të natyralizonte Halilin u gjykua gjithashtu i saktë nga gjykata – megjithëse jo unanimisht. Dy nga pesë gjyqtarët u patën vërejtje se Halili nuk ishte ankuar herën e dytë, por këtë e kishin bërë vetëm disa qytetarë nga Bubendorf-i, përcjell albinfo.ch. Ish-kryetari i Bubendorf-it tha se pas refuzimit të dytë, Halili kishte hequr dorë nga një apel tjetër.

Pas gjykimit të gjykatës kantonale të premten, kryetari i komunës ka njoftuar se nuk do të ndërmerreshin më veprime ligjore dhe se Hamid Halili do të natyralizohej.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0