Irani vazhdon e quan Shqipërinë kosh mbeturinash

HomeUncategorized

Irani vazhdon e quan Shqipërinë kosh mbeturinash

Vërejtjet e Shqipërisë për Iranin në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në Kombet e Bashkuara, nuk kanë kaluar pa përgjigje nga Republika Islamike.

Zëvendës-shefi i Gjyqësorit në Iran, Ali Baqeri Kani ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Tiranës, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Sipas tij, shtetet që kanë të kaluar të zezë sa i përket dhunimit të të drejtave të njeriut, nuk kanë të drejtë të flasin për shtetet e tjera mbi këtë çështje.

“Shtetet e Bashkuara: Enciklopedi e historisë së terrorizmit, Gjermania: pastruese profesionale e terrorizmit, armët kimike të së cilës janë ende duke vrarë veteranë në Iran, Shqipëria: kosh mbeturinash dhe shërbyese e terroristëve (muxhahedinët) që kanë martirizuar 17 mijë iranianë të pafajshëm”, shkruan zyrtari iranian në rrjetet sociale.
Ali Baqeri Kani kritikon më tej vendin tonë për strehimin e mijërave muxhahedinëve duke theksuar se Shqipëria ishte në dijeni të akteve të tyre të terrorit, të cilat janë dokumentuar edhe në organizatat ndërkombëtare.

Reagimi i Teheranit erdhi pas kritikave që përfaqësuesit e SHBA-së, Gjermanisë dhe Shqipërisë bënë në OKB mbi shkeljen e të drejtave të njeriut në Iran.

Që pas strehimit të muxhahedinëve, grup rival i udhëheqjes në Teheran, marrëdhëniet mes dy vendeve janë shoqëruar me deklarata të ashpra, ku Shqipëria është cilësuar edhe si “shtet i së keqes” nga lideri suprem i Irani, Ajatollah Ali Khamenei.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0