Investitorët reagojnë ndaj sulmeve mediale kundër prodhuesve të energjisë

HomeAktualitet

Investitorët reagojnë ndaj sulmeve mediale kundër prodhuesve të energjisë

Shoqata Ekonomike e Kosovës ka bërë një reagim siç thonë ata, ndaj sulmeve nga disa qarqe të caktuara mediatike kundër projekteve nga sektori i energjisë.

Në këtë reagim të tyre thuhet se këto sulme mediatike po ndodhin me theks të veçantë ndaj projekteve të energjisë së pastër, përcjellë Klan Kosova.

Siç shkruan në këtë reagim projektet duke qenë të realizuara konform të gjitha ligjeve dhe standardeve të energjisë, Shoqata Ekonomike i konsideron tendencioze këto qasje të tilla mediatike.

Reagimi i plotë i Shoqatës Ekonomike të Kosovës

Si shoqatë kemi ndjekur me kujdes sulmet e kohëve të fundit që janë duke u bërë nga qarqe të caktuara mediatike kundër projekteve nga sektori i energjisë, me theks të veçantë atyre të energjisë së pastër.

Duke qenë se bëhet fjalë për projekte të realizuara konform të gjitha ligjeve dhe standardeve të sektorit të energjisë, konsiderojmë që sulmet e tilla mediatike janë tendencioze dhe ndikojnë negativisht në klimën e investimeve në këtë fushë dhe jo vetëm.

Konsiderojmë që investimet e vazhdueshme në sektorin energjetik janë parakusht për zhvillimin ekonomik dhe pavarësimin energjetik të vendit tonë. Kosova vazhdon të jetë në grupin vendeve që nuk arrin të përballojë pikun energjetik pa ndihmën e energjisë nga importi, e nëse analizojmë prejardhjen e energjisë së importuar del që një pjesë e konsiderueshme e sasisë së importit vjen nga Serbia.

Komiteti i Energjisë ku Kosova është palë nënshkruese obligon vendin tonë që një pjesë të energjisë qe konsumojmë ta përfitojmë nga burimet e energjisë se ripërtërishme. Që nga viti 2007, ka filluar procesi i ndërtimit të bazës ligjore dhe kushteve për realizimin e këtyre projekteve megjithatë, edhe pas kaq shumë viteve vazhdojmë të hasim në pengesa në realizimin e investimeve.

Pak kohë më parë, të njëjtat grupacione mediatike dhe politike kanë kundërshtuar fuqishëm edhe projektin për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, që llogaritje të krijonte një sektor të qëndrueshëm energjetik në Kosovë. E gjithë fushata kundër këtij projekti bazohej në idenë se Kosova duhet të ndërtojë kapacitete prodhuese energjetike nga energjia e ripërtërishme e jo nga thëngjilli. Pak kohë pasi që fushatat kundër projektit amerikan përmbushën qëllimin e tyre me largimin e investitorit, duket se cak i këtyre grupeve janë investitorët lokal në projekte të energjisë së ripërtërishme.
Emisioni “Jeta në Kosovë” jo vetëm që nuk pasqyron realitetin por edhe bën keqinterpretim të koncepteve nga sektori energjetik.

Krahasimet e bëra mes tarifave nxitëse të ofruara për projektet e energjisë së ripërtërishme në Kosovë dhe atyre në shtetet tjera janë plotësisht të pabazuara.
Për referencë të publikut të gjerë, në këtë link (http://www.res-legal.eu/search-by-country) gjenden tarifat nxitëse në të gjitha shtetet e Europës dhe Ballkanit.

Ofrimi i energjisë me çmim të tregut që ky emision i referohet praktikohet për projekte shumë më të mëdha dhe me një sërë benefitesh që shtetet respektive i japin investitorit,siç janë dhënia e tokës për 15-20 vite në shfrytëzim, sjellja e linjës së transmisionit deri tek vendi i prodhimit, kapaciteti i lartë instalues por edhe lehtësime fiskale, pra nuk është aq e thjeshtë të krahasohen modalitatet që shtetet tjera aplikojnë.

Nëse jemi kundër termocentraleve, hidrocentraleve të vogla, energjisë diellore, energjisë së erës, energjisë nga biomasa, atëherë shtrohet pyetja:

Si mendojmë që të arrihet stabiliteti energjetik në Kosovë apo ndoshta qëllimi është që të mbesim gjithmonë të varur prej importit?

Gjithashtu shtrohet pyetja se: Kujt i shërbejnë sulme të tilla dhe pse indirekt po favorizohet importi i energjisë, në vend se të përkrahet prodhuesi vendor?

Shqetësues është edhe fakti që disa anëtarë të shoqatës të cilët po dëmtohen padrejtësisht edhe nga veprimet e fundit të Ministrisë së Ekomonisë, e cila pas fillimit të lehtësimit të masave kufizuese si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe fillimit të fazës së parë lehtësuese me 4 Maj 2020 ku është lejuar ndërtimtaria si veprimtari dhe disa aktivitete tjera, ka ndaluar vetëm sektorin e ndërtimit të projekteve energjetike nga burimet e renovueshme të energjisë.

Tendenca për të penguar finalizimin e disa projekteve të cilat janë afër përfundimit, përmes presionit mediatik, duke u thirrur në atë që shumica e projekteve nuk kanë lejet dhe licencat legjitime është mjaft shqetësuese për shoqatën, për vetë faktin se këto leje janë lëshuar nga institucionet e Republikës së Kosovës përmes një procesi të hapur dhe kredibil dhe në vend se të përkrahet ky sektor po tentohet të krijohet një opinion negativ me qëllim që të pengohen apo edhe të ndalohen padrejtësisht realizimi i tyre edhe pse janë të vetëdijshëm se pasojat për shtetin do të jenë mjaft të mëdha dhe kredibiliteti i shtetit të Kosovës në sferën e përkrahjes dhe ofrimit të sigurisë së investimeve do të mund të dëmtohet.

Presioni dhe sulmet mediatike nuk guxojnë të bëhen mjet i grupeve të caktuara për arritjen e qëllimeve të tyre me çdo kusht.
Një situatë e tillë është e rrezikshme dhe nëse vazhdon do të këtë efekt zingjiror në ekonominë e Kosovës.

Në rast se përmes presionit mediatik në organet e pavarura siç është ZRrE dhe gjyqësori, ndikohet që investitorë të pajisur me autorizime përkatëse të mos lejohen ti përfundojnë me sukses projektet e nisura, atëherë kredibiliteti i institucioneve të pavarura të shtetit të Kosovës vihet seriozisht në pikëpyetje.

Menjëherë pas situatës së krijuar për shkak të pandemisë do të organizojmë konferencë ku të pranishëm do të jenë përfaqësues nga institucionet relevante, shoqëria civile dhe mediat ku do të diskutohet dhe të sqarohet roli dhe rëndësia e energjisë së ripërtërishme si dhe sfidat për realizimin e projekteve në ketë fushë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0