Identifikohet njeriu i dytë i shëruar nga HIV

HomeAktualitet

Identifikohet njeriu i dytë i shëruar nga HIV

Personi i dytë në botë i shëruar në mënyrë natyrale nga HIV është identifikuar në Argjentinë, njoftoi një grup ekspertësh mjekësorë.

Zbulimet e bërë nga analizat e këtij personi nga disa shkencëtarë të Shkollës së Mjekësisë në Universitetin e Harvardit rrisin shpresat për gjetjen e një kure të përhershme për 38 milionë personat që janë të infektuar momentalisht në botë me HIV.

Gruaja e shëruar, një 30-vjeçare nga qyteti Espereanca në Argjentinë, nuk kishte asnjë shenjë të virusit në trup. Ajo është njeriu i dytë në botë që shërohet, pas 67-vjeçares Loreen Willenberg, nga San Françisko, e cila u identifikua në gusht.

“Fakti që kemi gjetur dy persona tek të cilët virusi nuk riprodhohet do të thotë shumë për ne”, tha për “The Times”, dr. Natalia Laufer, mjekja e pacientes argjentinase. “Kjo do të thotë se me siguri që ka edhe persona të tjerë. Është një hap i madh përpara në kërkimet në kurimin e HIV”.

Pacientja ishte diagnostikuar me HIV në vitin 2013. I dashuri i saj në atë kohë v diq për shkak të SIDA-s. Ndërsa partneri i saj aktual, si dhe fëmija që ka lindur me të, janë negativ. Laufer tha se ajo është një grua shumë në formë, e shëndetshme dhe sportive.

Të dyja gratë nuk kanë asnjë shenjë të virusit në gjak edhe pse nuk i janë nënshtruar asnjëherë terapisë antiretrovirale. Normalisht, kur një person infektohet me HIV, virusi i ngjitet qelizave të ADN-së, dhe riprodhohet. Por në disa raste, 1 në 200 persona, virusi vendoset në pjesë inaktive të gjenomit dhe nuk shkakton dëme. Pjesa e mbetur e virusit pastrohet përmes sistemit imunitar. Virusi dëmton aftësinë e njeriut për të luftuar infeksionet e tjera dhe ilaçet që janë momentalisht në treg për ta mbajtur nën kontroll janë shumë të kushtueshme.

Studiuesit shpresojnë që përmes këtij zbulimi të gjejnë kurën për t’i dhënë fund pandemisë së HIV/AIDS, e cila deri tani u ka marrë jetën 39 milionë personave në të gjithë botën.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0