Hoti: Vetëm njohja reciproke i normalizon marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë

HomePolitike

Hoti: Vetëm njohja reciproke i normalizon marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se vetëm njohja reciproke në mes të Kosovës e Serbisë mund t’i normalizojë marrëdhëniet mes dy vendeve.
Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se çdo bisedim me Serbinë, është në funksion të arritjes së marrëveshjes për njohje reciproke, shkruan Reporteri.net.

Sipas tij, Kosova mbetet e përkushtuar për dialog sepse është vend evropian me orientim të qartë.
Në fund ai ka ftuar të gjithë përfaqësuesit politikë që të jenë të unifikuar për procesin e dialogut me Serbinë.

Ky është postimi i tij i plotë:
Vetëm njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë i normalizon marrëdhëniet në mes të dy vendeve dhe e qetëson këtë pjesë të Ballkanit dhe Evropës.
Në çfarëdo takimi që kam pasur dhe do të kem me përfaqësuesit e Serbisë, njohja reciproke është tema e vetme. Çdo gjë që bisedohet me ta është në funksion të arritjes së marrëveshjes për njohje reciproke, pa cenuar integritetin teritorial apo karakterin unitar të shtetit të Kosovës.
Kosova mbetet e përkushtuar për dialog, sepse është vend evropian, me orientim të qartë euro-atlantik.

Nisur nga kjo qartësi e plotë e procesit, unë nuk do të hezitoj të dialogojmë.
Prandaj, i ftoj forcat politike në Kosovës, pozitë dhe opozitë, të jemi të unifikuar në këtë proces. Gara politike në mes nesh, që duhet të jetë demokratike dhe mbi baza të kushtetutës, mund dhe duhet të zhvillohet për tema të tjera të politikës, ekonomisë, arsimit, shëndetësisë dhe fushave të tjera. /Reporteri.net/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0