Albulena Haxhiu e prerë: S’e kemi në plan të flasim për koalicion me PDK-në dhe asnjë parti tjetër

HomePolitike

Albulena Haxhiu e prerë: S’e kemi në plan të flasim për koalicion me PDK-në dhe asnjë parti tjetër

Partia fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit 2019, Lëvizja Vetëvendosje synon një fitore tjetër në zgjedhjet parlamentare që priten të mbahen në fillim të vitit 2021, shkruan GazetaBlic.

Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje nuk do të bëjë koalicion me asnjë parti, duke përjashtuar rrjedhimisht edhe Partinë Demokratike të Kosovës.

Të vetëm alternativë për një arritje të mundshme bashkëpunimi, partia e Kurtit e ka me iniciativën e u.d., të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kjo e fundit që u përjashtua nga LDK.

Kështu ka thënë për GazetaBlic anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

“Koalicionet me partitë tjera, as nuk i kemi diskutuar dhe as nuk e kemi në plan ta hapim atë diskutim. Për ne subjektet sikur PDK, LDK e të tjera janë të njëjta. Ato janë përgjegjëse për kapjen e shtetit dhe degradimin e vendit dhe ne nuk kemi interes të bashkëpunojmë me të njëjtat. Të vetmin interes që e kemi shprehur është bashkëpunimi me Vjosa Osmanin, për çka ende nuk kemi vendosur se cila do të jetë forma e bashkëpunimit. Besoj sqarohet dhe vendoset së shpejti”, është shprehur Haxhiu.

Duke komentuar sondazhet e fundit, të cilat nxjerrin partinë e Kurtit si fituese absolute në këto zgjedhje, Haxhiu thotë se do t’i keni mbi 50 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

“Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari Kurti, sot gëzojnë mbështetjen më të madhe qytetare e të njëjtën nuk mund ta kontestojë askush. Siç e keni parë edhe në sondazhet e fundit, numri i deputetëve që do të përbëjnë grupin tonë parlamentar do të jetë mbi 50”, ka thënë Haxhiu.

Përkundër zyrtarëve të VV-së, ata të PDK-së e kanë lënë të hapur mundësinë e një koalicioni për të gjitha partitë.

Të paktën kështu ka thënë për GazetaBlic shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza

“Për koalicion para zgjedhor ende janë mundësit e hapura, të shohim se çka prodhon situata. Ne vija të kuqe nuk kemi pasur as në të kaluarën dhe mirë që nuk kemi pasur sepse ata që i kanë pasur mandej i kanë ra vijat e kuqe. Ne konsiderojmë̈ që vijat e kuqe nuk janë të shëndetshme”, ka thënë Hamza për GazetaBlic.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.

31 janar dhe 7 shkurti janë përmendur si data që mund të mbahen zgjedhjet e parakohshme./GazetaBlic

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0