Haradinaj e Mustafa do takohen javën e ardhshme, sqarojnë pozicionet rreth dialogut dhe temave tjera

HomeAktualitet

Haradinaj e Mustafa do takohen javën e ardhshme, sqarojnë pozicionet rreth dialogut dhe temave tjera

Ramush Haradinaj pritet të takohet me Liderin e LDK’së, Isa Mustafën dhe Kryeministrin Avdullah Hotin. Kryetari i LDK’së ka thënë se posa të shërohet Shefi i Qeverisë do të ketë takim dhe qartësim për të gjitha temat që janë ngritur nga AAK’ja.

Udhëheqësi i partisë kryesore në Qeveri, Isa Mustafa, ka paralajmëruar takim me Ramush Haradinajn posa të shërohet Kryeministri nga COVID-19.

Paralajmërimi i Mustafës ishte bërë javën e kaluar në kohën kur lideri i AAK’së kishte lëshuar alarme se Shefi i Qeverisë s’e ka besimin e AAK’së nëse vazhdon dialogun në formën se si e ka nisur në Bruksel.

Ramush Haradinaj ka nisur akuzat ndaj Hotit pasi ky i fundit nuk e mori Selim Selimin në dhomën ku po mbahej takimi në Bruksel me Aleksander Vucicin. Ish-Kryeministri rivalizoi me Shefin e Ekzekutivit aktual kur shkoi në Karaçevë, një ditë pasi forcat serbe shkelën në tokën e Kosovës, dhe kërkoi reagim të institucioneve.

Pas kësaj, Avdullah Hoti, i ktheu përgjigje Haradinajt, duke i thënë se janë të panevojshme shkuarjet në kufi me Serbinë kur gjithçka në atë pjesë është e sigurt. Madje, tha se s’ka nevojë për defilime të tilla.

Sot, ndërkohë, dy ministra të AAK’së kanë lëshuar akuza në drejtim të Shefit të Qeverisë. Meliza Haradinaj-Stublla tha se nuk qëndrojnë pohimet se gjithçka atje është e sigurt derisa demantoi KFOR’in se forcat serbe hyn në territorin kosovar në mënyrë të sinkronizuar. Selimi Selimi vazhdon ankesat ditore ndaj Kryeministrit se është i painformuar se çka po ndodh në dialogun e Brukselit.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0