Haki Abazi i quan “shkollë jugosllave” Surroin dhe Shalën

HomeAktualitet

Haki Abazi i quan “shkollë jugosllave” Surroin dhe Shalën

Ish zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, ka bërë një intervistë për një portal të quajtur “Bota Sot” e në të cilin ka dhënë disa qëndrime që nuk janë në vijë ekzakte me qëndrimet e partisë që i takon dhe liderit të saj.

Opinioni publik është mësuar që të gjithë anëtarët e VV-së, pavarësisht funksionit që kishin në parti, t’i shihte të nënrenduar rehatshëm ndaj liderit të tyre, Albin Kurtit. Madje, edhe kur ky i fundit ndërronte qëndrimet, ato ndërroheshin përnjëherësh nga të gjithë, i madh e i vogël. Poor, duket se puna ndryshon me Haki Abazin.

Ai ka shprehur qëndrime që nuk janë në vijë me partinë e tij në një intervistë të bërë për një portal të vogël të afërt me pushtetin.

Abazi është pyetur edhe për emërimin e Veton Surroit, Blerim Shalët dhe të tjerëve në një ekip ekspertësh për dialogun e Kosovës me Serbinë, dhe përgjigja nuk do t’i pëlqejë aspak Albin Kurtit.

“Duhet kuptuar se për Kosovën, Muri i Berlinit ka rënë më 14 shkurt 2021. Lidhja me njerëzit që i takojnë të kaluarës, mendësisë së vjetër, antagonizmave politik nga e kaluara, dhe që kanë përfituar edhe financiarisht duke dizajnuar apo mbrojtur dhe ekzekutuar vendimet e gabuara që nga viti 1999 e këndej, por sidomos pas shpalljes së pavarësisë, nuk kanë vend dhe nuk do të duhej të përfshiheshin në proceset e tanishme.” – thotë z. Abazi në përgjigjen e tij, përcjell Periskopi.

Por, ai nuk ngurron që të emëruarit e Kurtit si ekspertë për dialogun në bashkëpunim me një OJQ dhe Ambasadën e Norvegjisë t’i quajë edhe “shkollë e majtë jugosllave”.

“Shkolla e të majtës jugosllave duhet të largohet nga këtu. Përveç që është treguar gjithmonë inferiore ndaj Beogradit, është edhe ushqyese e urrejtjes dhe ndasive në Kosovë dhe mes shqiptarëve.” – vazhdon Abazi.

Ish zëvendësi i kryeministrit Kurti në Qeverinë Kurti I po ashtu ka përsëritur qëndrimet se Kosovës nuk duhet t’i ngutet në çështjen e dialogut përkundër presionit ndërkombëtar.

“Dialogu nuk ka asnjë urgjencë, Kosova ka punët e pakryera në shtëpi për të përmbyllur shtetndërtimin dhe për të siguruar jetë të dinjitetshme, drejtësi dhe mbrojtje për qytetarët.” – vijon më tej Abazi.

Por, a i ka ftohur raportet Kurti me Haki Abazin?

“Raportet tona me Kryeministrin Kurti kanë qenë profesionale, vazhdojnë të jenë profesionale dhe të tilla do të jenë. Ftohja për të cilën po flisni ju mund të ketë të bëjë me percepsionin për sezonin e dimrit dhe temperaturave të ulëta.” – ka përfunduar ai.Periskopi

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0