Gjykata Supreme vendos për ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje

HomeAktualitet

Gjykata Supreme vendos për ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje

Gjykata Supreme e ka refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për verifikimin dhe numërimin e 9 mijë e 748 pakove me fletëvotime të dorëzuara me postë nga votuesit jashtë Kosovës dorëzuar në postën nr. 6, në rrugën ˮAgim Ramadaniˮ në Prishtinë.

“REFUZOHET si e pabazuar ankesa e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje, me seli në Prishtinë, e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa A.nr.760/2021, datë 6 mars 2021”, thuhet në vendimin e Supremes.

Më poshtë gjeni arsyetimin e Suprmes për refuzimin e kësaj ankese: A r s y e t i m i

Me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa A.nr.760/2021, datë 6 mars 2021, është refuzuar si e pabazuar ankesa e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje, me seli në Prishtinë me të cilën ka kërkuar që të urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të bëjë verifikimin dhe numërimin e 9,748 (nëntëmijeshtatëqindedyzetetetë) pakove me fletëvotime të dorëzuara me postë nga votuesit jashtë Kosovës dorëzuar në postën nr. 6, në rrugën ˮAgim Ramadaniˮ në Prsihtinë.

Kundër këtij vendimi me kohë ka paraqitur ankesë subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, me seli në Prishtinë, me të cilën e konteston ligjshmërinë e vendimit të atakuar, dhe propozon që i njëjti vendim të anulohet dhe të urdhërohet Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), që të bëjë verifikimin dhe numërimin e 9,748 (nëntëmijeshtatëqindedyzetetetë) pakove me fletëvotime të dorëzuara me postë nga votuesit jashtë Kosovës të arritura sipas pretendimit deri me 12 shkurt 2021 por të tërhequra KQZ më datat 18, 19 dhe 25 shkurt te vitit 2021.

PZAP në përgjigje në ankesën e subjektit politik të lartë përmendur kundërshton thëniet ankimore dhe propozon që ankesa të refuzohet si e pabazuar.

Gjykata Supreme e Kosovës, pas vlerësimit të vendimit të atakuar, pretendimeve ankimore, dhe pretendimeve të paraqitura në përgjigje në ankesë, gjeti se: Ankesa është e pabazuar.

Nga shkresat e lëndës rezulton se me rastin e Zgjedhjeve të parakohshme Parlamentare 2021, më datën 5 mars 2021, PZAP ka pranuar apelin Anr. 760/2021, të paraqitur nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me seli në Prishtinë, të paraqitur kundër vendimit e KQZ-së, nr. 860-2021 të datës 4 mars 2021, me të cilin janë shpallur rezultatet përfundimtare për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës, të mbajtura më 14 shkurt 2021, duke mos përfshirë 9,748 (nëntëmijeshtatëqindedyzetetetë) pako me vota të votuesve jashtë Kosove.

Parashtruesi i apelit pretendon se fletëvotimet e dërguara nga ana e votuesve jashtë Kosove duhet të pranohen, të klasifikohen dhe të numërohen për arsyen themelore objektive, sepse të gjithë dërguesit e këtyre pakove me fletëvotime i kanë dorëzuar dërgesat në kohë të duhur brenda afatit të përcaktuar pa asnjë vonesë. Në bazë të nenit 96.2 të LZP-së, parashihet se votat përmes votimit jashtë Kosovës duhet të pranohen nga KQZ-ja para ditës së zgjedhjeve, sikurse përcaktohet me anë të rregullave të KQZ-së. Mirëpo pretendimi i subjektit politik LVV, është se kjo normë ligjore nuk ka konkretizim përmes Rregullës Zgjedhore për situatat e jashtëzakonshme subjektive si forca madhore (vis major). Më tej në apel parashtruesi shton se ekzistojnë edhe arsye tjera subjektive rrethanore që arsyetojnë pranimin dhe numërimin c këtyre votave, duke qenë se zgjedhje e 14 shkurtit 2021 kanë qenë të jashtëzakonshme dhe të parakohshme, dhe se të njëjtat janë edhe objektivisht të jashtëzakonshme për shkak të rrethanave të shkaktuara nga fuqia madhore në rastin konkret Pandemia Covid 19, e cila rrethanë nuk varet nga faktori njeri.

Në apel theksohet se për shkak të afateve shumë të shkurtër për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës, KQZ-ja nuk ka arritur ti përmbushë të gjitha detyrimet ligjore për periudhën e aplikimit për votim jashtë vendit të paraparë me Planin Operues të miratuar nga KQZ, duke ia mohuar gjithë aplikuesve për votim jashtë Kosove të drejtën e shfrytëzimit të mjeteve juridike. Si provë për pretendimet e tyre parashtruesi i apelit ka bashkangjitur në apel korrespondencat e mbajtura në mes të anëtarëve të KQZ-së nga radhët e subjektit politik LVV-së dhe postës- DHL si dhe Planin Operues të KQZ-së.

Parashtruesi i apelit kërkon që PZAP të urdhërojë KQZ-në, për verifikimin dhe numërimin e 9,748 pakove me fletëvotime të dorëzuar në postë nga votuesit jashtë Kosove, të cilat kanë arritur në KQZ pas afatit të përcaktuar më datë 12 shkurt 2021.

Në përgjigje në apel të datës 5 mars 2021, KQZ-ja, ka theksuar se në mbledhjen e datës 2 mars 2021, Kryeshefi Ekzekutiv ka njoftuar KQZ-në se Sekretariati ka pranuar pako të supozuara me fletëvotime pas përfundimit të periudhës së votimit përmes postës jashtë periudhës kohore e cila është përmbyllur më 12 shkurt 2021.Tërheqja është bërë në tri ditë të ndryshme, më datën 18, dhe 19 shkurt 2021 janë tërhequr nga posta e shpejtë DHL, 718 pako, ndërsa me 25 shkurt nga fahu postar janë tërhequr 9,030 pako.

Rrjedhimisht Paneli gjeti se këto pako kishin ardhur pas përfundimit të periudhës së lejuar për votim nga jashtë dhe pas datës së zgjedhjeve dhe për këto arsye refuzoi apelin e subjektit politik LVV.

Duke shqyrtuar ankesën e subjektit politik LVV, Gjykata Supreme gjeti se ankesa Përgjithshme në Republikën e Kosovës e në përputhje me nenin 12.2 të Ligjit nr.03/L-256 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, parashikon se mund të apelohet vendimi i PZAP.

Gjykata Supreme vlerësoi se janë të pabazuara pretendimet e LVV-së, paraqitur në ankesën ndaj vendimit të kontestuar të PZAP, sepse i njëjti nuk përmban parregullsi për shkak të cilave do te vihej në pikëpyetje ligjshmëria e vendimit të PZAP-së.

Qëndron fakti se me nenin 96 paragrafi 2 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme (LZP), vota përmes votimit jashtë Kosovës duhet të pranohet nga KQZ-ja para ditës së zgjedhjeve, sikurse përcaktohet me anë të rregullave të KQZ-së, ndërsa me nenin 4 paragrafi 4 i Rregullës Zgjedhore nr.03/2013, përcaktohet se vota jashtë Kosovës duhet të pranohet nga KQZ-ja, 24 orë para ditës së zgjedhjeve. Në rastin konkret (siç del nga vendimi i kontestuar i PZAP-it) votuesit jashtë Kosovës, 9,748 pako me fletëvotime janë tërhequr me vonesë dhe se sipas parashtruesit të ankesës nuk është faji i votuesve sepse të njëjtit i kanë dorëzuar në postë para afatit të paraparë. Kjo edhe për faktin se rrethanat e jashtëzakonshme që këto zgjedhje janë të parakohshme dhe se mbahen në kohë pandemie.

Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, përcaktuese për ligjshmërinë qëndrimi të PZAP-së është i bazuar në Aktgjykimin të Gjykata Kushtetuese, në rastin Nr. KI207/19, ku konstatohet se aktgjykimet e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës A.A U.Z nr.20/2019 i datës 30 tetor 2019 dhe A.A U.Z nr.21/2019, datë 5 nëntor 2019, nuk janë në përputhshmëri me nenin 3 të Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut në Lidhje me nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në aktgjykimet e Gjykatës Supreme të lartpërmendura të vitit 2019 ishin pranuar pretendimet e tilla duke vlerësuar në se verifikimi dhe numërimi i fletëvotimeve të përshkruara në këto aktgjykime, nuk e pengon procesin dhe verifikimin e pastaj numërimin edhe të fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës.

Pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Nr. KI207/19, këto pretendime nuk mund të pranohen sepse bien ndesh me këtë aktgjykim.

Ndërsa sa i përket forcës madhore (vis major) të cekurat në pretendimet e palës ankuese, nga përgjigja në ankesë del se KQZ-ja nuk ka qenë e njoftuar nga askush se ka pasur ndonjë pengesë madhore në arritjen e dërgesave postare në Kosovë, e po ashtu vlen të theksohet se totali i dërgesave postare ka qenë rreth 43 mijë dërgesa, të cilat kanë arritur brenda afatit ligjor të përcaktuar me Ligjin dhe rregullat e KQZ-së, pa qenë të penguara nga ndonjë forcë madhore dhe ashtu si kanë arritur këto dërgesa të cilat janë dërguar me kohë, ashtu do të duhej të arrinin edhe dërgesat tjera sikur të ishin dërguar me kohë. PZAP ka dhënë arsyetim të mjaftueshëm me të cilin pajtohet edhe Gjykata Supreme e Kosovës.

Gjykata Supreme, e pranon në tërësi gjendjen faktike të konstatuar nga PZAP, pasi që me provat që gjendën në shkresat e lëndës konstatohet në mënyrë të plotë dhe të besueshëm gjendja faktike e konstatuar nga PZAP. Nga provat në shkresat e lëndës shihet se këto pako kanë arritur pas skadimit të afatit.

Duke marrë parasysh se PZAP-i, me rastin e refuzimit të apelit, ka marrë parasysh një mori rrethanash të theksuar si në arsyetimin e vendimit të ankimuar, dhe ka zbatuar drejtë të drejtën materiale, gjegjësisht nenin 115 paragrafi 1, 2 dhe 3, nenin 119 paragrafi 5, të LZP-së prandaj Gjykata Supreme konkludon se ankesa e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV) duhet të refuzohet si e pabazuar Për arsyet e paraqitura më lartë, e në pajtim me nenin 118 pika 4 të Ligjit mbi Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, u vendos si në dispozitiv të këtij aktgjykimi.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0