Doni të punoni në Gjermani? Del ligji i ri, Avokatja jep detajet, ja si të shkoni vetëm dhe me familjen

HomeAktualitet

Doni të punoni në Gjermani? Del ligji i ri, Avokatja jep detajet, ja si të shkoni vetëm dhe me familjen

Avokatja Nakibe Ademi sapo na sqaroi të gjithë rregulloren e re të Gjermanisë për të gjithë atë që duan të emgrojnë.

“Të kualifikuarit vijnë në bazë të ligjit të ri që ka hyrë në fuqi më 1 mars 2020. Kur ke një kualifikim të barasvlershëm me kualifikimin përkatës gjerman dhe ke njohuri gjuhe, minimumi A2, ambasada është e detyruar të të japë vizë brenda 14 ditësh. Këtu hyjnë inxhinieret, mjekët. Por edhe mjeshtrit. Por, në rastin e ballkanasve ne kemi shumë problem me njohjen e kualifikimit professional”, tha Ademi ndërsa ka dhënë më tej dhe zgjidhjen për këtë situatë.
“Po, ka disa mënyra të tjera. Janë, për shembull, diplomat e shkollave profesionale, siç janë në Shqipëri. Por edhe përvoja e punës, nëse është mbi 5 vjet.

Në këto raste punëtorët duhet të marrin një shkresë nga punëdhënësi, ku shkruhet se ku, në cilin sektor kanë punuar, çfarë përvoje pune ke. Për shembull, një automekanik duhet të përshkruajë me imtësi se me cilat lloje automjetesh është marrë, prej sa vitesh e ushtron këtë profesion, çfarë kursesh kualifikimi ka bërë. Dhe mund të vijë këtu për të bërë ndonjë kurs shtesë. Pra, është pak e komplikuar, por jo e pamundur”, thekson ajo.

Avokatja rrëfen arsyen se përse shumë kërkesa për vizë vonohen ose refuzohen.
“Këtu duhet të përgjigjemi në mënyrë të diferencuar: Një nga problemet kryesore është se aplikuesit dorëzojnë dokumente që nuk përputhen me standardet gjermane. Si për shembull, kontrata e punës përmban rrogë më të ulët se sa kërkohet në treg.

Në këto raste, Enti Federal i Punës, nuk e jep miratimin. Problemi i dytë, dhe ky haset shumë shpesh, ka të bëjë me të dhënat për personin, të cilat nuk janë të plota. Për shembull, ka persona, që kanë ndërruar mbiemrin, e nuk e shkruajnë në fletë-aplikim. Ose nuk deklarojnë që kanë qenë në Gjermani në të kaluarën. Ose që janë dëbuar apo janë kthyer në kufi nga policia. Pra, ata rezultojnë si jo të sinqertë në deklaratat e tyre dhe u refuzohet viza.

Aplikuesit e marrin një përgjigje, ku sqarohet se përse janë refuzuar dhe se mund të ankimojnë brenda një muaji. Por shumica e aplikuesve nuk e shfrytëzojnë këtë mundësi. Sepse edhe nuk e kuptojnë gjermanishten. Shpesh ata i dorëzojnë dokumentet me anë të agjencive dhe përgjigja kthehet te emaili i agjencisë”, tha ajo.

Ademi ka sqaruar më tej dhe procedurën për bashkimin familjar, ku në Prishtinë duhet të presësh 15 muaj, në Tiranë 12 muaj.

“Procedura mund të përshpejtohet. Kohëzgjatja prej 12 muajsh është diskutuar shumë nëpër gjyqe në Gjermani. Ka një vendim të Gjykatës së Lartë, ku thuhet se pritja deri në 12 muaj është në përputhje me Kushtetutën Gjermane.

Por ka edhe një direktivë të BE-së, e cila i obligon shtetet anëtare që brenda nëntë muajve t’i pajisin me viza edhe familjarët. Në kohët e fundit kemi arritur të kemi sukses në këtë pikë, sidomos për kosovarët, sepse kosovarët, për dallim nga të tjerët, që vijnë nga Shqipëria ose Maqedonia e Veriut, nuk mund të vijnë pa viza, si turistë.

Por, sidoqoftë, unë këshilloj që kush hedh dokumentet në ambasadë për vizë pune dhe nuk e ka bërë ende celebrimin, ta bëjë para se të dorëzojë dokumentet, se përndryshe duhet të presë dy vjet.

Një tjetër këshillë nga ana ime është që partneri ose partnerja që dëshiron të vijë, të hyjë në kursin e gjuhës. Edhe këshilla e tretë, e cila vlen për ata që i kanë fëmijët në prag të moshës 16-vjeçare, është që t’i drejtohen një avokati që të bllokojë moshën pasi të bëjnë kërkesën për vizë në ambasadë”, theksoi ajo.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0