Dell tregon prapaskenat e zgjedhjes së Jahjagës presidente, flet për reagimin e Thaçit, Mustafës dhe Pacollit

HomeUncategorized

Dell tregon prapaskenat e zgjedhjes së Jahjagës presidente, flet për reagimin e Thaçit, Mustafës dhe Pacollit

Ish-Ambasadori amerikan, Christopher Dell i është rikthyer historisë, duke shpjeguar prapaskenat e emërimit të Atifete Jahjagës në krye të Shtetit.

Hashim Thaçi e kishte pranuar idenë e amerikanëve, kur më 2011, propozuan një emër jopartiak për Shef të Shtetit.
Por, lideri i asaj kohe i PDK’së kishte një kusht. Që emri i Presidentit të mos jetë ndonjë gazetar. Nuk dihet nëse Thaçi frikësohej se Veton Surroi apo Blerim Shala mund të propozoheshin për Shef të Shtetit.

Krejt këto papraskena i ka treguar ish-ambasadori amerikan, Christopher Dell në një intervistë për Oral History Kosova.
Dell ishte përfshirë në zgjedhjen e Pacollit për President kur më SMS bënte presion mbi deputetë që të votonin shefin e AKR’së për Shef të Shtetit.
Por, kur zgjedhja e Pacollit u cilësuar si jokushtetuese kishin nisur bisedimet ndërmjet PDK’së, LDK’së dhe AKR’së.

Asnjëri prej liderëve nuk pranonin kompromisin.
Christopher Dell tregon se ideja për Atifete Jahjagën erdhi nga zëvendësi i tij, i cili tha se ish-zyrtarja policore mund të jetë ide briliante për Shefe të Shtetit.
“… por zëvendësi im në ambasadë më tha, e di çfarë Atifete Jahjaga është e aftë, nuk është partiake, është një person që hartuesit e kushtetutës e kanë pasur në mend, dikush që prezanton shtetin dhe i thashë që kjo është ide brilliante dhe do ta propozoj atë”, ka thënë Dell.

Ish-ambasadori ka treguar se vetëm Pacolli nuk u pajtua me propozimin ndërsa Thaçi e Mustafa u pajtuan menjëherë.

Megjithëse Thaçi kishte kërkuar që emri i Presidentit të mos ishte i ndonjë gazetari.

“Pastaj ua dhashë emrin e Atifetës si propozim, Thaçi më tha në rregull për sa kohë që nuk është gazetar, i thashë jo nuk është, si thoni për zëvendëskomandanten e policisë. Më pyetën kush është ajo, ju thashë Atifete Jahjaga. Thaçi dhe Mustafa u shikuan me njëri-tjetrin, duke thënë se ky propozim nuk është problem për ta. Behgjet Pacolli ishte i pikëlluar por nuk kishte mundësi të bënte shumë, kështu që unë e kuptoj se nga vjen legjenda e zarfit. Pra ne është e vërtetë që propozuam një emër por ishin liderët e Kosovës që thanë po kjo është një zgjidhje e mirë”, ka rrëfyer Dell.

Christopher Dell, më vonë pas votimit të Jahjagës për Presidente, ishte përfshirë në një debat me Veton Surroin, të cilin e kishte quajtur zvarranik dhe kishte thënë se ishte ofruar të bëhej Shef i Shtetit. Këtë e kishte konfirmuar edhe Thaçi, i cili kishte thënë se Surroi kishte lënë pushimet në Qerret për të ardhur në Prishtinë ku i ishte përmendur emri për njeriun e parë të shtetit.

Në anën tjetër, Behgjet Pacolli ishte i pari që kishte dhënë detaje të këtij takimi pasi më 11 prill u votua për Presidente Atfiete Jahjaga. Atëkohë, Pacolli kishte thënë se Dell ua kishte dhënë nga një zarf liderëve dhe të gjithë ishin çuditur kur kishin lexuar emrin e Jahjagës, e cila fillimisht kishte marrë detyrën e Presidentes për një vit por më vonë qëndroi pesë vite pasi Gjykata Kushtetuese tha se “populli pre që Presidenti ta përfundojë mandatin e plotë”.

Veç kësaj, ish-ambasadori tha se me Thaçin, Mustafën e Pacollin ka pasur takime në rezidencën e tij gjatë asaj kohe kur Mustafa u pajtua që Pacolli të jetë president por që nuk e mori përkrahjen e LDK’së.

“I kam pritur në shumë takime në rezidencë për të folur me ta. Mustafa tha në rregull Behgjet, po u kërkoj LDK’së që të përkrahin ty që të gjendet zgjidhja. Unë ju thashë nëse kjo nuk bën, na duhet një emër që ju pajtoheni të gjithë, unë nuk kam ndonjë emër favorit por mendojeni këtë. Mustafa u kthye të nesërmën dhe tha se partia e tij nuk e përkrahë Pacollin”, tregoi Dell.

Intervistën e plotë të ish-ambasadorit Christopher Dell e gjeni këtu:

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0