Dardan Molliqaj: Mund të jesh homoseksual edhe nga Llapi, Drenica ose Dukagjini

HomeAktualitet

Dardan Molliqaj: Mund të jesh homoseksual edhe nga Llapi, Drenica ose Dukagjini





PSD dhe kryetari i saj, Dardan Molliqaj, ka shkruar në kuadër të ‘Javës së Krenarisë’ lidhur me vështirësitë me të cilat përballet komuniteti LGBTQI.
“Askush s’do ta zgjidhte për qef një jetë të tillë. Vërtet shumë kulturë ka prodhuar shtypja e seksit, por dinamikat e seksualitetit zor se mund të vendosen aq lehtë racionalisht nga trendet sezonale të kulturës. Pjesëtarët e këtij komuniteti nuk janë vetëm në Prishtinë dhe nuk i gjen vetëm në disa mjedise të identifikuara. Ata janë edhe nëpër fshatrat më të thella të fshehur e të përvuajtur, bëjnë edhe punë ndërtimi e bujqësie. Mund të jesh homoseksual edhe nga Llapi, Drenica ose Dukagjini”, shkruan Molliqaj.

Shkrimi i plotë:

Kundër frikës dhe paragjykimeve, në solidaritet me komunitetin LGBTQI

Frika hiqet vetëm kur fillon të përballesh me të. Vetëm kur ajo gjëja misterioze dhe e rrezikshme të shfaqet dhe fillon ta njohësh. Atëherë e kupton se frika paska ardhur nga vetë frika dhe jo nga ajo gjëja…Një pjesë e madhe e shoqërisë pjesëtarët e komunitetit LGBTQI i sheh si njerëz të llastuar e të përdalë, ca fëmijë nga qyteti që bëjnë gjeste sa për vëmendje. Secili duhet ta dijë se në një vend si Kosova ky lloj “llastimi” kushton shtrenjtë. Kushton linçim publik, sulme në rrugë e dëbim prej familjes. Askush s’do ta zgjidhte për qef një jetë të tillë. Vërtet shumë kulturë ka prodhuar shtypja e seksit, por dinamikat e seksualitetit zor se mund të vendosen aq lehtë racionalisht nga trendet sezonale të kulturës. Pjesëtarët e këtij komuniteti nuk janë vetëm në Prishtinë dhe nuk i gjen vetëm në disa mjedise të identifikuara. Ata janë edhe nëpër fshatrat më të thella të fshehur e të përvuajtur, bëjnë edhe punë ndërtimi e bujqësie. Mund të jesh homoseksual edhe nga Llapi, Drenica ose Dukagjini.

Në kushtet e një shoqërie të lirë e të drejtë, mund të ishim indiferent mbi orientimet seksuale të njerëzve. Por, në Kosovë, komuniteti LGBTQI bën jetë pothuajse ilegale thjesht sepse ka qëlluar të jenë ndryshe nga normat shoqërore e juridike. Komuniteti LGBTQI duhet të pranohet si pjesë normale e shoqërisë, me të gjitha liritë dhe të drejtat që iu takojnë. Ky është kuptimi i javës së krenarisë, prandaj jemi në mbështetje të organizimit.





COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0