Ç’po ndodh në SHBA? Agjencia qeveritare e tranzicionit të presidentëve s’e ka njohur fitoren e Joe Biden

HomeAktualitet

Ç’po ndodh në SHBA? Agjencia qeveritare e tranzicionit të presidentëve s’e ka njohur fitoren e Joe Biden

Ndërsa Presidenti Donald Trump ka refuzuar të pranojë humbjen e zgjedhjeve dhe pretendon për manipulime në numërimin e votave, administrata e tij ende nuk ka filluar të ndihmojë fituesin e parashikuar, Presidentin e zgjedhur Joe Biden, në fazat fillestare të marrjes së kontrollit të qeverisë. Kështu shkruan “Zëri i Amerikës”.

Agjencia qeveritare, që njihet shkurtimisht si GSA, ose Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme, ka përgjegjësinë për të njohur zyrtarisht zotin Biden si presidentin e ri dhe për të filluar procesin e kalimit të pushtetit, që zyrtarisht bëhet ditën e përurimit të presidentit më 20 janar. Agjencia cakton zyrat për ekipin e tranzicionit të zotit Biden në mjediset qeveritare dhe ndihmon në detyra të tjera të nevojshme. Por, Emily Murphy, kreu i agjencisë nuk e ka filluar procesin.

Një zëdhënës i Administratës së Shërbimeve të Përgjithshme (GSA) tha se agjencia nuk do të fillojë procesin e tranzicionit derisa fitorja e zotit Biden të çertifikohet zyrtarisht, por është e paqartë se kur mund të ndodhë kjo, meqënëse ende vazhdon numërimi i votave në një pjesë të madhe të vendit.

Rezultati i zgjedhjeve është i paqartë vetëm në pak shtete dhe organizatat kryesore të medias kanë nxjerrë demokratin Biden si fitues. Presidenti Trump nuk ka pranuar të njohë rezultatin, ndërsa fushata e tij ka hapur disa padi ligjore, duke pretenduar, pa prova deri tani, se parregullsitë në votimet e së martës dhe ditët pasuese të numërimit të votave i kushtuan atij fitoren e zgjedhjeve.

Zoti Trump shpreson që paditë ligjore do ta ndihmojnë atë të përmbysë rezultatin e votave të fituara nga zoti Biden në Kolegjin Elektoral, që përcakton fituesin e zgjedhjeve presidenciale, dhe jo të votës popullore, megjithëse zoti Biden udhëheq edhe me votën popullore.

Udhëheqësi i shumicës së senatit, Mitch McConnell tha të hënën se Presidenti Trump “ka 100% të drejtë të shqyrtojë akuzat për parregullsi dhe të peshojë alternativat ligjore. Institucionet tona janë ndërtuar pikërisht për këtë”.

Zoti Biden dhe Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris po vazhdojnë me planet e tyre të tranzicionit, fillimisht duke u takuar me ekspertë të shëndetit lidhur me përpjekjet për frenimin e pandemisë së koronavirusit në Shtetet e Bashkuara. Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins, virusi u ka marrë jetën 237 mijë amerikanëve ndërsa 10 milionë të tjerë rezultojnë të infektuar. Ndërkohë, kampi i zotit Biden po kërkon bashkëpunim për tranzicionin nga zyrtarët e Presidentit Trump.

Zonja Jen Psaki, ndihmëse e zotit Biden në procesin e tranzicionit, tha të dielën në rrjetin Twitter se, “Siguria kombëtare dhe interesat ekonomike të Amerikës varen nga sinjalet e qarta dhe të shpejta të administratës se qeveria e Shteteve të Bashkuara do të respektojë vullnetin e popullit amerikan dhe do të angazhohet për një transferim të qetë dhe paqësor të pushtetit.”

Akti i njohjes së “fituesit të pritshëm” nga GSA, i hap rrugën ekipit të tranzicionit të adminisitratës së re të ketë qasje në kompjuterat qeveritarë, i siguron atij mbështetje logjistike, si dhe i paguan pagat.e tyre. Buxheti i tranzicionit për këtë vit është parashikuar në 10 milionë dollarë.

Zyrtarët e rinj pajisen me adresë emaili qeveritare dhe kanë zyra në çdo agjenci qeveritare. Zyrtarët po ashtu mund të fillojnë të plotësojnë formularët përkatës mbi të ardhurat financiare dhe konfliktet e interesit, para se të marrin detyra e reja qeveritare.

Qendra për Tranzicionin Presidencial, një organ jopartiak, po ashtu u kërkoi zyrtarëve të administratës së zotit Trump që të “fillojnë menjëherë procesin e tranzicionit paszgjedhor, që ekipi i zotit Biden të përfitojë plotësisht nga burimet e disponueshme sipas Aktit të Tranzicionit Presidencial”. Grupi tha se, “Kjo ishte një fushatë e ashpër, por historia është e mbushur me shembuj të presidentëve që dolën nga fushata të tilla dhe që ndihmuan me mirësjellje pasardhësit e tyre.”

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0