Çka do fitonte Kosova po të anëtarsohej në OBSh?! – tregojnë ekspertët

HomeShendeti

Çka do fitonte Kosova po të anëtarsohej në OBSh?! – tregojnë ekspertët

Kosova nuk është pjesë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndonëse gjatë pandemisë së koronavirusit vendi është ndihmuar nga kjo organizatë, po të ishte anëtare e saj ndihmat do të ishin edhe më të mëdha.Epidemiologë e mjekë kanë folur se çfarë beneficione do të kishte Kosova po të ishte anëtarë e OBSH-së.Epidemiologu Lul Raka thotë edhe pse Kosova nuk ka qenë anëtare, ka pasur bashkëpunime të vazhdueshme me OBSH-në.

“Kosova nuk është pjesë e OBSH-së, sepse nuk ka aplikuar. Për tu pranuar duhet të bëhet kërkesë, nga kryetari i shtetit, kryeministri, Ministri i Punëve të Jashtme. Edhe pse s’kemi qenë anëtar ne kemi pasur bashkëpunim me OBSH-në, por të jesh anëtar i ka disa benefite, në krahasim me UNESCON na duhet vetëm 50% e votave. Ne vazhdojmë takimet dhe bashkëpunimet me OBSH-në” shtoi ai.Edhe Blerim Syla, kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka thënë se penalizimi për të qenë pjesë e OBSH-së, vjen nga politikanët tanë të cilët nuk kanë ditur që të ndërtojnë strategji.Syla tha se jo vetëm Kosova nuk është pranuar si anëtare në OBSH, por nuk figuron as në hartën e tyre.

Mirëpo në anën tjetër është OBSH-ja, ajo e cila ka pritur lëvizjet politike pasi që vepron në kuadër të Kombeve të Bashkuara dhe kjo është arsyeja se pse Kosova ende nuk është anëtare e OBSH-së.“Që nga paslufta kanë ardhur shumë projekte dhe shumë përfaqësues nga OBSh-ja, në cilësinë e këshilltarëve. Ne kemi pasur një zyrë e cila edhe sot është funksionale si zyre e OBSh-së, mirëpo ne nuk jemi anëtar të OBSh-së. Fakti pse ne nuk jemi anëtar të OBSh-së është i dyanshëm, së pari nga politikanët tanë të cilët nuk kanë ditur të ndërtojnë strategji. Sesa kemi arritur të shkojmë atje është vetë fakti që sot nuk jemi në hartën e tyre, mirëpo në anën tjetër mendoj që është burokracia e OBSh-së e cila si duket ka pritur lëvizjet politike pasi që vepron në kuadër të Kombeve të Bashkuara dhe kjo është arsyeja pse nuk jemi anëtar të OBSh-së” shtoi Syla.Mes tjerash, Syla tha se kanë kërkuar në vazhdimësi këshilla nga OBSh-ja, mirëpo nuk kanë marrë ndihmë konkrete.Syla ka thënë se janë marrë disa projekte të vogla dhe kjo e ka dëmtuar edukimin e vazhdueshëm të punëtorëve shëndetësor të mjekëve, ani pse tentimi për të marrë barna ka qenë i vazhdueshëm.“Në vazhdimësi Kosova ka kërkuar ndihmë, po ashtu ka pranuar edhe këshilla, mirëpo ndihmë konkrete nuk kemi marrë dhe kjo së pari duhet të krijojë relacione në mes shteteve që janë anëtare të OBSh-së por edhe përfitimin e projekteve pak më të mëdha sesa që i kemi marrë. I kemi marrë disa projekte të vogla dhe kjo e ka dëmtuar edukimin e vazhdueshëm të punëtorëve shëndetësorë të mjekëve. Edhe pse kemi tentuar të marrim listat e barnave por nuk kemi arritur të jemi pjesë e OBSh-së”, shtoi ai.
Sipas tij, ka pasur kërkesa nga ana e Kosovës në cilësinë e këshillëdhënësve, mirëpo kjo nuk është mbështetja e duhur e OBSH-së, sepse ka mundur të bëhet më shumë në këtë drejtim.“Këshillat do të ishin më të mira dhe do të merrnim ndihma që na takojnë pak më shumë që ne marrim nga kjo organizatë. Edhe shkëmbimi i përvojave në mes shteteve në kuadër të OBSH-së, atëherë përfitimi kishte me qenë shumë më i madh sesa që e kemi tash ne. Kemi pasur kërkesa nga ana e Kosovës në cilësinë e këshillëdhënësve, mirëpo nuk jam i kënaqur nga mbështetja e OBSh-së, sepse ka mundur të bëhet shumë më shumë në këtë drejtim” shtoi Syla.Ndërsa Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekëve të Kosovës ka thënë se edhe përkundër aplikimit në OBSh, Kosova nuk mund të pranohet sepse së pari duhet të jetë anëtare e plotë e OKB-së.“Edhe nëse aplikojmë në OBSH ne nuk mund të pranohemi në Organizatën Botërore të Shëndetësisë për shkak se në kushtetutën e saj ne duhet të jemi anëtar i plotë i OKB-së, automatikisht ne diskualifikohemi për çdo aplikim për anëtarësi”, shtoi Sejdiu.Sejdiu ka thënë se mos anëtarësimi i Kosovës më shumë i ka dëmtuar politikat shëndetësore sesa mjekët. Sipas tij, Zyra e OBSH-së ka dhënë një kontribut për Kosovën sa i përket furnizimeve, mirëpo jo aq sa do të duhej të ishte në qoftë se, do të ishte anëtare e Kombeve të Bashkuara.“Mos anëtarësimi i Kosovës më shumë i ka dëmtuar politikat shëndetësore sesa mjekët si individ dhe këto janë politika shëndetësore prandaj kjo do të thotë se pjesëmarrja në forume dhe marrja pjesë e kulaçit në kuadër të fondeve të cilat ndahen për shtetet në zhvillimin e sistemeve shëndetësore deri në shpalljen e pavarësisë kemi qenë nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara, sidomos kanë ndarë një hise në problematikën e vaksinimit, në ngritjen e politikave shëndetësore ne kemi përfituar pas shpalljes së pavarësisë”, tha ai.Ai ka thënë se po të ishim anëtarë të OBSH-së, do të ishim më përpara sa i përket furnizimeve.“Me siguri do të ishim ndër prioritetet e dhënies së fondeve sa i përket vetë Kosovës. Këtë mund ta krahasojmë me shtetet e Bashkimit Evropian ku është një shumë e madhe e parave bazuar në vetë banorët e këtyre shteteve dhe për Ballkanin perëndimor ato që kanë mbetur. Po sikur të ishim anëtar të OBSH-së benefitet sa i përket blerjes me një çmim shumë më të lirë të materialeve hargjuese por edhe kur bëhet fjalë për çështjen e vaksinave”, shtoi Sejdiu.Kosova me anëtarësimin në OBSH, do të kishte përfituar më shumë në politikë sesa në praktikë, sepse është ndër zonat më të avancuara sa i përket sistemit shëndetësorë.Sejdiu tha se OBSH-ja është aktive në blerjen e vaksinave dhe me një çmim shumë të lirë, iu ofron edhe vetë shteteve anëtare.“Kosova do të kishte përfituar më shumë në politikë sesa në praktikë, sidomos pas asaj që Kosova është në zonën më të avancuar të sistemeve shëndetësore, sepse shumica e investimeve bëhet ne shtetet me të ardhura të ulëta. Do të ishim pjesë e një familje ku ndahet kulaçi çdoherë i atyre fondeve që janë të dhënat miliardëshe nga të gjitha shtetet”.“Nuk e di se sa kanë qenë të involvuar OBSH-ja për ndarjen e tyre por sa i përket vaksinave, OBSH-ja është aktive në blerjen e vaksinave dhe me një çmim shumë të lirë të cilat ia ofron edhe vetë shteteve anëtare. Ministria e Shëndetësisë përmes OBSH-së, kanë përfituar nga çmimet e ulëta të cilat janë blerë nga OBSH-ja” shtoi ai.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0