Avdullah Hoti dështon në Uashington

HomePolitike

Avdullah Hoti dështon në Uashington

Dy partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë refuzuar ftesën e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, që të kenë një përfaqësues në delegacionin kosovar, në takimin që do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë dhe pastaj në takimin e ardhshëm në Bruksel.

Kryeministri Hoti, ditën e mërkurë ka bërë të ditur se ftesën ua ka nisur dy partive në opozitë, pasi që është i hapur për të krijuar një ekip gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike. Megjithatë, ftesën e Hotit e refuzuan që të dyja partitë. E para, e cila i tha jo kësaj ftese ishte Lëvizja Vetëvendosje.

LVV bëri të ditur se ftesën e Hotit po e refuzojnë pasi që Qeveria është jo legjitime dhe jo kredibile, shkruan Telegrafi.

“Thirrjet e kësaj qeverie për unitet dhe gjithëpërfshirje, sfidohen nga vet veprimet dhe shterpësia e saj. Kjo qeveri është jo legjitime dhe jokredibile pas që nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe nuk buron nga vota e tyre në zgjedhjet e fundit. I mungon platforma me parime dhe vija të kuqe për procesin e dialogut – ndonëse një dokument të tillë e parasheh në programin e saj qeverisës. Nuk ka mbështetje të gjerë në Kuvend ku është e varur nga secila votë e Listës Serbe, dhe i është nënshtruar Serbisë dhe çdo kërkese të saj deri më tani”, thuhej në përgjigjen e LVV-së.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës pohoi se do ta ushtrojë rolin e saj kushtetues në procesin e dialogut, si opozitë në Kuvendin e Kosovës, por nuk do të jetë pjesë e delegacionit.

“Partia Demokratike e Kosovës mbështet vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që është në përputhje me platformën tashmë të njohur të saj, e cila garanton njohjen e ndërsjellë, sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, karakterin unitar të shtetit dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, thuhet në përgjigjen e kësaj partie drejtuar kryeministrit Hoti.

Ndryshe, takimi ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Uashington, do të mbahet me 4 shtator. Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Ullyot.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien ka thënë se Shtetet e Bashkuara presin me padurim për këto diskutime të rëndësishme me kryeministrin kosovar, Avdullah Hoti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe besojnë që përparimi ekonomik është thelbësor për çuarjen përpara të procesit të paqes.

“Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien ka ftuar liderët e Serbisë dhe Kosovës në Uashington në 4 shtator. Shtetet e Bashkuara shpresojnë në këto diskutime të rëndësishme me Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Hoti. Ne besojmë se përparimi në çështjet ekonomike, përfshirë krijimin e vendeve të punës dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike, është hapi i parë në përparimin e procesit të paqes “, kishte thënë zëdhënësi John Ullyot.

Duhet theksuar se takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte planifikuar fillimisht për 27 qershor, por planet dështuan për shkak se Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Ndërkaq, 16 korrik, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq zhvilluan takimin e parë pas 20 muajsh të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Të dy udhëheqësit diskutuan për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës, zhvillimin ekonomik dhe me pajtimin që të vazhdojnë bisedimet me 7 shtator. /Telegrafi/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0