Avdullah ​Hoti: Raporti i Komisionit Evropian thotë se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e vizave

HomeAktualitet

Avdullah ​Hoti: Raporti i Komisionit Evropian thotë se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e vizave

Kryeministri Avdullah Hoti ka komentuar raportin vjetor të Komisionit Evropian për Kosovën.
Ai një konferencë për media me ambasadorin e BE-së Tomash Szunyog, ka thënë se raporti i BE-së nxjerr në pak se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e vizave.
“Raporti tregon se është bërë progres. Arritja më e madhe e Kosovës në këtë proces është Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Raporti me të drejtë nxjerr në pah se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizmin e vizave”, tha Hoti.
Ai gjithashtu tha se raporti tregon se në Kosovë respektohet të drejtat e njeriut dhe ka liri të mediave.
Ndryshe, në raportin e KE thuhet se përkundër faktit që institucionet e Kosovës vazhduan përkushtimin deklarativ publik ndaj procesit integrues është bërë progres i kufizuar në zbatimin e reformave evropiane.
Lidhur me dialogun, Kosova duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme me Serbinë, thuhet në raport.
“Në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dialogu i lehtësuar nga BE-ja rifilloi me takime të nivelit të lartë më 12 dhe 16 korrik dhe 7 shtator 2020. Në Bruksel u zhvilluan një numër takimesh të nivelit të ekspertëve. Kosova duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe e rëndësishme në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

Raporti vlerëson zgjedhjet e vitit 2019 si transparente, por që procesi i numërimit të votave nxori në pah cenueshmëritë e procesit dhe se mangësitë e përsëritura të procesit zgjedhor duhet të adresohen urgjentisht, në përputhje me rekomandimet e disa misioneve të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Në raport gjithashtu thuhet se situata në veri mbetet sfiduese, veçanërisht kur bëhet fjalë për korrupsionin, krimin e organizuar dhe kushtet për lirinë e shprehjes. Sa i përket sistemit gjyqësor, në raport theksohet se gjyqësori është ende i cenueshëm nga ndikimi i padrejtë politik.

“Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër korrupsionit. Kosova ka bërë përparim të kufizuar në këtë fushë, përfshirë hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të nivelit të lartë, në konfiskimin e pasurive, si dhe përmes krijimit të Departamenteve Speciale që trajtojnë rastet e lidhura me korrupsionin e nivelit të lartë (dhe krimin e organizuar) në gjykata. Konfiskimet përfundimtare të pasurive dhe kapaciteti i përgjithshëm i prokurorisë, përfshirë edhe në lidhje me personelin mbështetës, mbeten të ulëta. Korrupsioni është i përhapur dhe mbetet çështje shumë shqetësuese. Kërkohet vullnet i fortë politik që çështjet e korrupsionit të adresohen në mënyrë efektive, si dhe një përgjigje e fortë e drejtësisë penale ndaj korrupsionit të nivelit të lartë”, thuhet në raport.

Më tej në raport thuhet se Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar, dhe se progresi ka përfshirë hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të nivelit të lartë, rekrutimin e personelit shtesë për Prokurorinë Speciale, dhe trajnimin dhe ngritjen e vetëdijes për ngrirjen e pasurive.

Raporti vlerëson se perspektiva ekonomike e Kosovës filloi të përkeqësohej me shpejtësi në pranverën e vitit 2020, duke qenë se masat e karantinës kundër COVID-19 prishën rrjedhat financiare me diasporën.

Kosova ka bërë progres të kufizuar në zbatimin e Marrëveshjes Stabilizim Asocimi dhe Agjendës Evropiane të Reformave. Institucionet kanë dështuar të miratojnë regjistrin e ndihmës shtetërore në përputhje me afatin ligjor të MSA-së – 1 prill 2019.

Sipas KE-së, Kosova është në rrugë të mbarë të dështojë në përmbushjen e obligimit ligjor të MSA-së për të siguruar mbrojtje të të drejtave intelektuale, industriale dhe komerciale, në nivel të njëjte të mbrojtjes siç është në BE deri në prill 2021.

Edhe kualiteti i sistemit arsimor mbetet problem serioz dhe se asnjë progres nuk mund të raportohet në këtë fushë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0