Ambasada e SHBA-së del kundër ligjit për vlerat e UÇK-së të përkrahur nga Qeveria Hoti

HomePolitike

Ambasada e SHBA-së del kundër ligjit për vlerat e UÇK-së të përkrahur nga Qeveria Hoti

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka dalë kundër iniciativës së Partisë Demokratike të Kosovës rreth ligjit për mbrojtjen e vlerave të Luftës së UÇK-së.

Në një reagim në twitter, Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, ka thënë se ligji i propozuar është mënyrë e gabuar për të treguar respekt për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Ligji e kriminalizon lirinë e shprehjes, frikëson qytetarët dhe është i kushtueshëm. Ligji largon nga përpjekjet praktike për ta kuptuar dhe mësuar historinë e Kosovës. Kur do t’i shohim partitë që të rifokusojnë energjitë e tyre në ekonomi dhe në COVID-19”, thuhet në reagim.

Projektligji për vlerat e luftës së UÇK’së ishte propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës në prill të këtij viti dhe kishte marrë përkrahjen e Qeverisë Hoti, që edhe e ka proceduar për në Kuvend.

Vlerë e luftës, sipas këtij projektligji, është lufta e armatosur e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK, vetë UÇK-ja si formacion ushtarak i armatosur, veterani i UÇK-së, flamuri, betimi i ushtarit, stema, Shtabi i Përgjithshëm, Drejtoria Politike, Shtabet e zonave operative, arkiva, si dhe Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe komplekset tjera.

Projektligji parasheh respektimin e vlerave të luftës, mbrojtje institucionale, Muzeun e Luftës, Ditën e përkujtimit të luftës për çlirim, dispozitat ndëshkimore, si dhe aktet nënligjore. Në rast se projektligji aktual për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së miratohet në Kuvendin e Kosovë, si ligj do të ketë implikimet buxhetore prej 2 milionë e 250 mijë euro, pa i llogaritur edhe investimet për ndërtimin e Muzeut të Luftës.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka proceduar me këtë projektligj dhe ai tash i dërgohet komisionit funksional, që në këtë rast është Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Inovacion.

Ditë më parë në Kuvend gjithashtu kishte kaluar një rezolutë për mborjtjen e vlerave të luftës e propozuar gjithashtu nga PDK.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0