Alarmuese mbi 60% e kosovarëve të pakënaqur me drejtimin aktual të politikës në vend

HomeAktualitet

Alarmuese mbi 60% e kosovarëve të pakënaqur me drejtimin aktual të politikës në vend

Shtetasit e Kosovës janë të pakënaqur me drejtimin aktual të politikës në vend, kështu thuhet në anketën “Pulsi Publik 18” i realizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).Më shumë se gjysma e të anketuarve (62.8%) janë të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me drejtimin aktual politik të Kosovës.Ky nivel i pakënaqshmërisë është rritur me 12.7 pikë përqindje krahasuar me nëntorin 2019.

Niveli i kënaqshmërisë me drejtimin politik të Kosovës arrin vetëm 10.6%, ngjashëm me nëntorin 2019 (10.2%).Gjithsej 19.7% e të anketuarve deklaruan se kanë qëndrim neutral për këtë çështje, që përbën një rënie prej 13.7 pikë përqindje nga anketa e nëntorit 2019, siç tregohet në Figurën 1.

Në këtë anketë të publikuar thuhet se “Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë tregojnë se meshkujt (70.2%) janë më të pakënaqur sesa femrat (66.4%) me drejtimin politik të Kosovës. Në të njëjtën kohë, përqindja e meshkujve që janë të kënaqur me drejtimin politik të Kosovës është pak më e lartë se ajo e femrave: ndërkohë që 11.4% e meshkujve janë të kënaqur ose shumë të kënaqur me drejtimin politik të Kosovës, vetëm 9.7% e femrave deklaruan se janë të kënaqura ose shumë të kënaqura me drejtimin politik të Kosovës, që përbën një ndryshim nga anketat e nëntorit dhe majit 2019 kur femrat ishin më të kënaqura me drejtimin politik të Kosovës”.

“Të dhënat e zbërthyera sipas përkatësisë etnike tregojnë se niveli më i lartë i pakënaqshmërisë gjendet tek shqiptarët e Kosovës (72%), të ndjekur nga pjesëtarët e komuniteteve të tjera të Kosovës (43.1%) dhe nga serbët e Kosovës (42%). Përqindja e të anketuarve neutralë është më e larta në mesin e serbëve të Kosovës (56%), të ndjekur nga pjesëtarët e komuniteteve të tjera të Kosovës (25.5%) dhe shqiptarët e Kosovës (17.9%).

Gjithsej 10.2% e shqiptarëve të Kosovës janë të kënaqur ose shumë të kënaqur me drejtimin politik të Kosovës, ndërsa vetëm 2% e serbëve të Kosovës tregojnë të njëjtin nivel kënaqshmërie. Gjithsej 25.5% e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera të Kosovës deklaruan se janë të kënaqur me drejtimin aktual politik të Kosovës”.Në anketë gjithashtu thuhet se 33.6% e kosovarëve janë të gatshëm të marrin pjesë në protesta politike, që përbën një rritje të vogël nga nëntori 2019 (31.3%) dhe një rënie të konsiderueshme nga maji 2019 (42.2%).“Të dhënat e zbërthyera sipas përkatësisë etnike tregojnë se shqiptarët e Kosovës janë më të gatshëm të protestojnë sesa serbët e Kosovës dhe pjesëtarët e komuniteteve të tjera të Kosovës”.

“Në mënyrë të veçantë, 34.7% e shqiptarëve të Kosovës janë të gatshëm të protestojnë, kundrejt 17.6% të serbëve të Kosovës dhe 24.5% të pjesëtarëve të komuniteteve të tjera të Kosovës”.“Të gjitha komunitetet e Kosovës, përveç serbëve të Kosovës, janë më pak të gatshëm të marrin pjesë në protesta politike sesa në maj të vitit 2019 kur gatishmëria e përgjithshme për të protestuar ishte mjaft e lartë: 43.7% e shqiptarëve të Kosovës, 13.3% e serbëve të Kosovës dhe 35% e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera të Kosovës”, thuhet në anketë.Anketa e Pulsit Publik 18 është realizuar gjatë muajit prill 2020, kësaj radhe për shkak të kushteve të jashtëzakonshme, përmes intervistave telefonike, me 1.306 qytetarë të Kosovës. Anketa ofron një përmbledhje të perceptimeve të kosovarëve në lidhje me proceset demokratike, kushtet socio-ekonomike, sigurinë, mjedisin, dhe pandeminë COVID-19.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0