88% e shqiptarëve mendojnë se nuk janë të barabartë para ligjit

HomeSociale

88% e shqiptarëve mendojnë se nuk janë të barabartë para ligjit

Raporti “Një vështrim në Ballkanin Perëndimor”, i publikuar vetëm pak ditë më parë nga Organizata për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD) tregon se shqiptarët nuk mendojnë në shumicë se trajtohen në mënyrë të barabartë para ligjit.

Kjo do të thotë se, kryesisht ka një mendim se sistemi i së drejtës është i lidhur me politikën dhe ky është një mendim që mbizotëron kryesisht në Ballkanin Perëndimor.

Kështu sa i takon Shqipërisë, e cila është në një fazë shumë të rëndësishme të lidhur me reformën në drejtësi, duket se perceptimi i popullatës nuk ka ndryshuar pavarësisht hapave.

Të paktën 47% e qytetarëve të anketuar janë përgjigjur se nuk janë dakord në mënyrë kategorike se ligji është i barabartë për të gjithë. Një grup tjetër jo i vogël që i takon 41% të të anketuarve nuk janë aq kategorikë, por kanë tendencën të mendojnë se jo të gjithë trajtohen njëlloj nga ligji. Vetëm 10% mendojnë se ligji i trajton si të barabartë dhe 2% janë të sigurt se trajtohen kështu.

“Gjyqtarët nuk shihen në masë si të pavarur në Ballkanin Perëndimor nga ana e popullatës. Në mesatare, 26% besojnë se shumica e gjyqtarëve merr vendim për çështjet në bazë të asaj çka ligji vërtet sanksionon (përqindja më e ulët është në Shqipëri me 17%)” vlerëson raporti i OECD.

Njerëzit kanë tendencën që të mendojnë se gjyqtarët vendosin për çështjet në bazë të asaj çka interesat e tyre të forta u kërkojnë (45%) apo çfarë u thotë qeveria (29%), shkruan monitor.al.

Një tjetër element që sillet në vëmendje në raport është korrupsioni, një fenomen i përgjithshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor. Situata ka pak ndryshime nga njëri vend te tjetri dhe përpjekja për uljen e tij shihet gjithmonë e lidhur me ëndrrën evropiane.

Por raporti vlerëson se ulja e nivelit të korrupsionit do të kërkojë më shumë përpjekje sesa forca e ligjit dhe sistemi gjyqësor. Ndryshime në sjellje duhet të vijnë nga politikanët, punonjësit e administratës, qytetarët dhe bizneset.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0