19 punëtorë në Postë marrin paga pa dalë fare në punë

HomePolitike

19 punëtorë në Postë marrin paga pa dalë fare në punë

19 punëtorë të Postës së Kosovës gjatë vitit 2019 janë paguar nga buxheti i shtetit muaj pas muaji, ndonëse nuk e kishin përmbushur orarin e plotë të punës për të cilin ishin të thirrur, apo nuk kishin dalë fare në punë.

Secili punëtor në Postën e Kosovës, sipas ligjit është i obliguar që ta bëjë evidentimin e prezencës së tij në vendin e punës çdo ditë pune, duke u nënshkruar çdo fillim orari dhe në mbarim të tij.

Mirëpo, siç duket kjo rregull e vendosur nuk ka vlejtur për 19 punonjës të kësaj ndërmarrjeje, përcjell Buletini Ekonomik.

Ata kishin vazhduar me avazin e njëjtë për muaj të tërë duke mos u nënshkruar fare ose vetëm duke u nënshkruar në fillim të orarit, por jo edhe në përfundim të ditës së punës. Kjo rrit dyshimet për mos-vijueshmëri në punë dhe për mos-kryerjen e punëve për të cilat edhe janë të thirrur e kanë marrë paga nga buxheti i kompanisë.

Auditori i Përgjithshëm në raportin e tij për Postën e Kosovës për vitin 2019, ka hasur në këto parregullësi për evidentimin e vijueshmërisë në punë të këtyre zyrtarëve dhe punonjësve.

Sipas tij, 11 drejtorë departamentesh dhe zyrtarë të lartë në zyrën qendrore të ndërmarrjes së Postës, këtu në Prishtinë, nuk ishin nënshkruar rregullisht në listat për vijueshmëri në punë, ose nuk janë nënshkruar fare ose vetëm në fillim të orarit të punës, por jo edhe në përfundim të tij.

Përpos këtyre, edhe tetë zyrtarë të tjerë në zyrën postare në rajonin e Mitrovicës prej janarit 2019 e deri më 30 shtator të po atij viti, ishin nënshkruar vetëm në fillim të orarit, pra nuk dihet nëse kanë punuar deri në përfundim të orarit dhe se a i kanë përmbushur detyrat e tyre sipas rregullores së punës. Tek tre muajt e fundit të 2019-s ata kishin filluar të nëshkruheshin rregullisht.

Zyrës Kombëtare të Auditimit nuk i janë ofruar kurrfarë dëshmish për asnjërin rast, për të konfirmuar prezencën e këtyre punonjësve deri në fund të orarit.

Sipas ZKA-së, pagesat e punonjësve në mungesë të dëshmive për vijueshmërinë në punë, nuk janë në pajtueshmëri me rregullat e brendshme dhe rrisin rrezikun e mungesës së angazhimit për kryerjen e detyrave duke ndikuar kështu në mos arritjen e objektivave të Kompanisë.

“Bordi i Drejtorëve të sigurojë, se pagat paguhen për orët e realizuara të punës dhe se vijueshmëria e rregullt në punë monitorohet vazhdimisht, si dhe ndërmerren veprimet e nevojshme për rastet e mos respektimit të rregullave ashtu siç parashihet me aktet nënligjore”, përfundon raporti.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0